Italia vendos masa të rënda ndaj të gjithë atyre që shkelin vetëkarantimin. Kështu, kushdo që del nga shtëpia, pa autorizim dhe pa një arsye të mirëjustifikuar, si për të blerë ilaçe apo ushqime, do të dënohet me 12 vjet burg. Vendimi është marrë këtë mëngjes, në kushtet kur numri i personave të infektuar me koronavirus vazhdon të rritet.
Po ashtu, një vendim në kushtet e nevojës emergjente për të frenuar ata qytetarë të shumtë që edhe në Itali vijonë e dalin nga shtëpia pa pasur një nevojë reale. Kështu, e gjithë policia është në terren për të kapur të gjithë ata që janë në rrugë dhe nuk mund ta justifikojnë arsyen e daljes nga shtëpia.
Ndërkohë, Shqipëria prej 6 ditësh ka marrë masa kufizuese, ku janë mbyllur baret e restorantet, është përgjysmuar numri i punonjësve në shërbimet që janë të domosdoshme të qëndrojnë hapur, si supermarkete e farmaci, furra buke. Kufizimet që duhej të ndiheshin edhe më shumë dhe që janë më të rëndësishme për frenimin e përhapjes së COVID19, kanë të bëjnë me vetëkarantinimin, me qëndrimin në shtëpi të të gjithë personave të paktën për 2 javë. Por shqiptarët, edhe pse ditët e para duket se u ndërgjegjësuan në këtë aspekt, nisën ti konsiderojnë si ditë pushimi, duke shfrytëzuar edhe temperaturat e larta e për të dalë jashtë. Nuk respektojnë më asnjë masë mbrojtëse, as distancën dhe as maskat e dorezat.
Një situatë kjo, që ndoshta do të sjellë masa të tjera edhe më të rënda kufizuese, edhe pse ditën e djeshme në një intervistë ekskluzive për Report Tv, kryeministri Edi Rama la të kuptohet se fokusi nuk do të jetë tek masat e reja por tek zbatimi në vazhdimësi i rregullave që tashmë janë vendosur. Më shumë sesa makinat, ku qarkullimi për ata që shkojnë në punë është vetëm në dy orare në mëngjes deri në 08 00 dhe pasdite 16 00 17 00, problemi më i madh po bëhen qytetarët që dalin në këmbë për shëtitje apo ata me biçikleta. Ndalimi për qytetarët është bërë vetëm pas orës 18 00 ndërsa kush kapet në rrugë jashtë këtij orari, gjoba është 10 mijë lekë.