Efektivët e policisë kanë nisur të kontrollojnë një e nga një, të gjithë kalimtarët që kanë thyer karantinimin dhe kanë dalë në rrugë. Sipas njoftimit zyrtar, në fokus të kontrolleve të policisë, janë vënë më tepër ata që janë kthyer nga vendet e prekura me Covid19.

Dosja.al mëson nga burimet e policisë, se nga vendet e prekura me Covid-19 kanë ardhur 120 mijë qytetarë, dhe kontrolli vlen për të parë nëe emigrantët e kthyer e kanë zbatuar vetëizolimin, apo jo.

Gjithashtu, në rrugë janë ngritur postblloqe që kontrollojnë makinat nëse janë të autorizuara për të lëvizur apo jo, sipas urdhërit të prerë.

Bilanci i COVID19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”

Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.

Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Rama iu bëri thirrje spitaleve private për tju bashkuar shërbimit shëndetësor publik.

Ai paralajmëroi se do të gjobiten me 5 mln lekë spitalet që mund të refuzojnë këtë thirrje dhe bizneset që rritin çmimet. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët