Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka marrë vendimin për të mbyllur të gjitha baret dhe restorantet, pasi nga dita e djeshme është konstatuar që asnjë lokal nuk respektoi rregullat e reja të vendosjes së tavolinave dy metër distancë nga njëra-tjetra, si masë parandaluese për koronavirusin.

Kreu i qeverisë në një postim në Facebook, thotë se kjo masë do të nisë të zbatohet fillimisht në Tiranë dhe Durrës.

“Ndjesë por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi të mbyllim të gjitha restorantet, baret, klubet, në Tiranë dhe Durrës fillimisht!” shkruan Rama.

Një vendim ky që vjen pasi shumica e shqiptarëve nuk u ndërgjegjësuan pas masave kufizuese të lëvizjes që qeveria ndërmorri pas identifikimit të rasteve të para të të prekurve me koronavirus në vendin tonë, ku tashmë u shënua edhe viktimë.

“Kjo nuk ësht ëkohë pushimes dhe argëtimesh jashtë shtëpisë, po kohë lufte dhe kjo luftë ftiohet vetëm duke kufizuar lirinë tënde, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës dhe duke ruajtur familjen tënde nga kontaktet e tua me jashtë. Frikë aspak, kujdes po. Madje shumë fare” shkruan shefi i mazhorancës.

Po ditën e sotme qeveria mori vendim të nxjerrë në terren ushtrinë dhe policinë për të verifikuar nëse të ardhurit nga Italia apo zona të prekura nga koronavirusi e respektojnë vetëkarantinimin të paktën 14 ditë. Nëse ata shihen në rrugë do të gjobiten 5 mijë euro dhe me rikthimin e situatës në normalitet do u ndalohet të dalin jashtë shtetit nëse gjoba nuk shlyhet