Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, kanë filluar rëndom ti referohen kryeministrit Edi Rama, si “gruaja e Bilalit” Po përse përdoret kjo nofkë nga kreu i shtetit, sa vjen e më dendur, për t’ju referuar kryeministrit të vendit?

Duke përdorur emrin Bilal, Presidenti Meta, i referohet një shtetasi amerikan, me origjinë shqiptare, Bilal Shehu, i cili pagoi 80 mijë dollarë, për të ndihmuar Edi Ramën, në kohën kur ky i fundit ishte kryetar i opozitës, të futej në një aktivitet ku merrte pjesë Presidenti Barack Obama, për të realizuar një fotografi dhe për ta përdorur atë si propagandë.

Në vitin 2012, Bilal Shehu, një shofer limuzine pagoi 80 mijë dollarë, të cilat vinin nga një shtet i huaj, për fushatën e Presidentit Obama, duke shkelur ligjin amerikan. Shehu e pranoi akuzën dhe u dënua në vitin 2017, me një vit burg me kusht, nga një gjykatë në New Jersey.

Shehu kishte siguruar dy bileta për aktivitetin ku merrte pjesë presidenti Obama dhe ish kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama, kishte tentuar të hynte me njërën prej këtyre biletave. Edhe pse atij ju mohua hyrja në event, Rama mundi të sigurojë një fotografi me Obamën, të cilën e përdori gjatë fushatës elektorale në Shqipëri.

Pas mosmarrëveshjeve dhe replikave të forta mes tyre, kjo ngjarje e ndodhur në SHBA në vitin 2012, ka frymëzuar Presidentin Ilir Meta, që kryeministrit Rama, ti referohet tashmë me nofkën “gruaja e Bilalit” dhe jo me emrin e tij.

Lidhur me këtë nofktë që kreu i shtetit e përdor dendurisht në konferenca për shtyp dhe në deklarata të ndryshme, kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë koment.

/TPZ.al/