Sa është ora?
Është saktësisht një orë për tu dashur, një orë për të thënë të dua, një orë me përqafimin e diellit përballë, me padurimin për të të parë, me dëshirën që kjo orë të zgjasë pafund, është një orë si cdo ditë, ku nuk do të heq dorë nga kafja e mëngjesit me ty në krah, një orë për tu dashur…

Me ty, më ndalon ora! Vec ora! Cdo gjë lëviz, lulet marrin jetë, ëndrrat zgjohen, njerëzit ecin, lugët kërcasin filxhanit të kafes, vec unë e ti jemi të veshur me minutin e ngecur të zemrës. Akrepat puthen… sa zemra heshtin bashkë me të… sa gërma mbeten jetime, sa pak duhen fjalët në atë puthje!

Cfarë më pëlqen te ty është se si flet kur je i lumtur, se si të qeshin sytë, në atë cast asgjë tjetër e gjallë nuk ka jetë, sa bukur vdes rrethimi yt e ti je gjithë jeta aty. Më hipnotizon gjithë frikërat e mendimet që më mbajnë larg teje, mi shuan pak nga pak edhe retë mbi krye që vijnë paftuar, ti ma bën diell!

Është orë për tu dashur, për të lënë në ajër shijen e ëmbël të asaj që ne e quajmë tonën, orën e ngecur! Jemi mbërthyer në rrotullimin e ndalur të minutave, në përqafim jemi dy, si dymbëdhjeta e këmbanave që zhurmojnë tri herë. Si cdo ditë në të njëjtën orë do jem e pavdekshme, gjithcka që arrij të përceptoj në vendin përreth, më ndalet sysh… kur sytë e përqafimi bëhen një, më ndalon koha!

Një flutur rozë bën ecejake mbi mua, më ulet mbi dorë, nisem t’i them se është capkëne, po ajo lëviz e më qëndron mbi hundë. Si arriti të dalë prej stomaku, krahë-pranvera e vogël, mi dha ajrit aromën e sytheve të vogla të sapocelura të jaseminëve.

Akrepat puthen… sa zemra heshtin bashkë me të… sa gërma mbeten jetime, sa pak duhen fjalët në atë puthje!

Sa është ora zemër?
Është e njëjta orë si dje, ku minuti i zemrës ngeci, ku akrepat u puthën, është ora e fluturave, jaseminëve, kur ti ma bën jetën diell, është orë për tu dashur…

/desantila vatnikaj/