Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti.
Qëndrimi ynë është i qartë tarifat duhet të hiqen tërësisht. Zoti Kurti po bën gabim të rëndë dhe kjo i është bërë e qartë presidentit (Hashim) Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë, shkroi ambasadori Grenell në rrjetin social twitter.
Ambasadori Grenell reagoi pak orë pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë javës së ardhshme, qeveria e Kosovës merr vendim që nga data 15 mars e këtij viti të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
Ai i bëri thirrje Serbisë që të zotohet se do ti jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të fillojë heqjen e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës.
Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë me fillim nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heq tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja.
Më tej kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian do ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për të hequr tarifën prej 100 për qind dhe në shkëmbim do ti ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.