Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca e Donatorëve, ku pritet të përcaktohet fondi që do ti jepet Shqipërisë, për të përballuar dëmet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
E ndërsa qeveria ka publikuar shifrën e 985 mln eurove për rindërtimin, Ambasada e Britanisë së Madhe ka publikuar shifrën që Mbretëria e Bashkuar do i dhurojë Shqipërisë, dhe do të jenë pikërisht 1 milionë paund.
“Krah për krah me #Shqipërinë në këtë periudhë vështirësie, për të dhënë një ndihmë në tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik që goditi Vendin në nëntor. Qeveria e Britanisë bën pjesën e saj në konferencën ndërkombëtare të donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” që mbahet sot në Bruksel me një donacion prej 1 milion £, një vazhdimësi konkrete e angazhimit tonë dhe mbështetjes së veprimtarive të rindërtimit, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund ti lënë pas krahëve të tilla ngjarje tragjike” thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ky fond është shumë larg shifrave që pretendon qeveria Rama se mund të marrë nga konferenca e donatorëve, ku sipas ministrit Arben Ahmetaj shpresohet në rreth 450 mln euro, duke përfshirë edhe kreditë.