Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar ditën e sotme, lidhur me kostot që do të sjellë në buxhet, operacioni më i fundit i ndërmarrë nga ana e policisë shqiptare, i quajtur Forca e Ligjit, dhe që synon të sekuestrojë pronat e vendosura nga aktiviteti i paligjshëm, i personave që rezultojnë të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra të rënda penale.
Një nga pikat e diskutimit ishte padyshim dhe kostoja që do të ketë për shtetin në rast se gjykata u jep të drejtë pronarëve, ku më pas do të detyrohet që t’iu paguajë këtyre personave dhe fitimin e munguar, për gjithë periudhën e sekuestros.
Ndërkohë që një propozim, deri diku të çuditshëm dhe të padëgjuar derimë tani, e ka dhënë deputeti Ervin Bushati i cili tha se do të ishte mirë, që pronat e sekuestruara ti jepeshin në përdorim banorëve që janë prekur nga tërmeti, deri në një vendim final nga ana e gjykatës.
Pavarësisht se propozimi i Bushatit mund të duket ambicioz, padyshim që kjo do ti vendoste qytetarët në një përballje të paprecedentë me personazhe aktiv të botës së krimit.
Bushati nga ana tjetër, kërkoi mbështetje maksimale dhe nga ana e opozitës për këtë çështje, duke thënë se nuk duhet pasur mëshirë, ndaj këtyre personave që mbajnë vrasje mbi shpatullat e tyre.
“Se kuptoj si mund të keni pretendime për këtë ligj, ku për herë të parë po goditen pasuritë e këtyre personave! Pse nuk thoni ju që në këto banesa të futen personat e prekur nga tërmeti, deri në një vendim të prerë nga ana e Gjykatës? Tani do merremi ne me të drejtat e atyre që janë sot nëpër burgje
Qeveria duhet të ndjekë dhe pronat e atyre që janë jashtë shtetit nëpër burgje, këto prona duhet ti rishpërndahen qytetarëve. Ato para që sjellin nga jashtë nuk e ndihmojnë ekonominë shqiptare, pasi prishin rregullat e tregut. Këto janë masa që nuk i kemi shpikur ne, janë aplikuar dhe në vende të tjera të botës. Nuk do merremi ne me të drejtat e këtyre personave që mbajnë vrasje në kurriz” u shpreh Bushati.
Në këtë moment ndërhyri dhe kryetarja e Komisonit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila tha se është në të drejtën e deputetëve të opozitës, që të kenë pyetje mbi ligjin, sa kohë që është një risi, jo vetëm për vendin tonë.
“Veprimtaria e Komisionit është shumë serioze, ka diçka që ne bjemë të gjithë dakord që të luftohet krimi i organizuar, ka nevojë që të merren informacione të mjaftueshme për të kuptuar funksionimin e ligjit. Kështu që deputetët e opozitës kanë të gjithë hapësirën e nevojshme që të bëjnë pyetjet e tyre” u shpreh Ekonomi.