Drrejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri. Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.
Përdorimi i tepruar i gazit lotsjellës kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri kishte ngritur shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha.
Qeveria e Edi Ramës asnjëherë nuk e ka thënë të vërtetën se ku e kishte marrë gazin lotsjellës, të cilin e përdori për të shtypur protestën e opozitës. Kishte pohuar se kjo sasi gazi ishte blerë në kohën e Sali Berishës, pas protestave të 21 janarit të vitit 2011.
Por, Gazeta Insajderi ka zbuluar të vërtetën se si Qeveria e Edi Ramës e mori në mënyrë të dyshimtë këtë gaz lotsjellës nga Policia e Kosovës. Kjo është bërë nëpërmjet një marrëveshje të dyshimtë të nënshkruar mes Rashit Qalajt, drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Ard Veliut, drejtorit të Policisë së Shqipërisë.
Marrëveshja e dyshimtë për 500 granata me gaz lotsjellës
Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.
Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.
Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë” e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.
Implementimi i tij duhet të bëhej nga drejtori Qalaj, njeri i lidhur dhe i dëgjueshëm i PDK-së së themeluar nga Thaçi.
Po ashtu, pjesë formale e implentimit do të duhej të ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme. Atëkohë, këtë post e mbante Ekrem Mustafa, i cilësuar nga kritikët e opozitarët si ministër analfabet dhe i padijshëm.
Mustafa i kishte dërguar një letër shefit të tij, Behgjet Pacollit. Duhej formalisht edhe “vula” e Pacollit për marrëveshje ndërkombëtare.