Kryeministri Edi Rama është shfaqur aktiv së fundmi në rrjetet sociale, pasi ka komentuar me disa qytetarë në lidhje me paketën anti-KÇK, e cila ka ‘zbritur’ në terren që prej së hënës.

Është një video e publikuar së fundmi nga kryeministri Rama në Facebook, për aksionet e OFL (Operacionit Forca e Ligjit e cila e ka ngjallur shumë debat. Qytetarët i kanë kërkuar Ramës që këtë aksion ta nisë nga vetja, ndërsa ky i fundit është shprehur se ata që mendojnë në këtë mënyrë t’i marrin të keqen, se ai nuk ka asnjë gjë për të fshehur.

Një tjetër qytetar i ka theksuar Ramës “se do ti heqin kokën” personat e krimit të organizuar, të cilëve po iu sekuestrohet pasuria. Kryeministri ka reaguar menjëherë dhe është shprehur se qytetari nuk duhet të qajë hallin e kokës së tij.

“Po mblidh veten more i mjerë, se do të heqin kokën një ditë këta personat që po i konfiskoni pasurinë. Po pse nuk po ju hap vende pune rinisë, por silleni vërdallë rrugëve. Vrasjet dhe vdekjet aksidentale janë në rritje, çdo ditë nga 4-5 vetë humbin jetën, nga rastet nga më të ndryshmet, që i bie për 1 vit 1000 vetë humbin jetën. Nuk e keni mendjen tek njerëzit por tek konfisikimet, rrëmbimet dhe vjedhjet e tyre” shprehet një nga komentuesit. Rama ndër të tjera përgjigjet: “E para mos qaj hallin e kokës time, po bëj hyzmetin e kokës tënde që të ka futur mesa shoh”