Shpresë për dy shokët, që u arratisën bashkë nga Shqipëria. Rikthimi në emisionin “Pa gjurmë” i historisë së arratisjes së shkodranëve, Nikolin Bori 48 vjeç dhe Dedë Fshari 50 vjeç hodhi dritë mbi të tjera detaje që na kthejnë afro 30 vite pas. Në ”Pa gjurmë” erdhi dëshmia, e cila hedh më shumë dritë dhe nga e cila familjarët shpresojnë se dy shokët janë gjallë. Dëshmia e një zotërie nga Dukagjini me emrin Vath Toma, i cili pretendon se i ka takuar për tri ditë me radhë dy shkodranët hodhi më shumë dritë mbi fatin e tyre, pas arratisjes në fund të vitit 1990.

“Unë i kam takuar në fillimi të vitit 1991. I kam takuar në Tuz të Malit të Zi. Të dy bisedonin tek hoteli me një kosovar për tu nisur në Holandë. Ka ardhur një shofer me një makinë të madhe dhe i ka marrë dhe janë nisur për në Holandë. Tre ditë kam ndenjur me ta. Këta thoshin që i kemi rënë malit, nga Hani i Hotit, jo nga lumi Buna. Më kujtohen emrat. Unë e kam ditur Dedë Çari, në emision ia mësova emrin tamam.

Ishin afro 19 vjeç. Ata janë, djemtë që takova 30 vite më parë. Më thanë se vinin nga Velipoja, unë kujtova se vinin nga Kosova. Ishin djem shumë të urtë, të rregullt. E pyeta për një person që ka punuar shofer në atë kohë. Aty e vërtetova se ishin nga Velipoja. Ata kishin si destinacion Holandën se kanë ndenjur me shumë kosovarë në atë kohë. Kishte shumë kosovarë atje. Unë vetë u arratisa në vitin 1989” tha dëshmitari Vath Toma.

Për babanë e Dedës, Kolën shpresa vdes e fundit, ndaj ai ka ende shpresë se djali i tij është gjallë. Sot, Dedë Kolë Fsharri është 50 vjeç, ndërsa shoku i tij në këtë arratisje Nikolin Zef Bori është 48 vjeç. Historia e arratisjes spektakolare nga lumi Buna me litarë, i dy shokëve Nikolin Bori dhe Dedë Fshari në të njëjtën ditë erdhi e rrëfyer në emisionin ’Pa gjurmë’’ nga familjarët e tyre.