Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka kaluar vettingun duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Pavarësisht pretendimeve të sindikatës, vettingu vendosi konfirmimin e tij në detyrë me argumentin se është i pastër në të tre shtyllat. Veliu ishte i pranishëm sot në sallë për të pritur vendimin.
Kryepolici Veliu deklaroi një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro. Aktualisht, së bashku me bashkëshorten e tij, Veliu ka deklaruar se jeton në një shtëpi me qira në Tiranë
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, në analizim të të dhënave tha se kryepolici nuk ka probleme me pasurinë, pastërtinë e figurës, apo aspektin profesional. Gledis Nano ishte funksionari i radhës që u konfirmua në detyrë, pasi pas analizimit të të dhënave nga ana e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit kreu i anti terrorit doli i pastër të tre shtyllat e vlerësimit atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Ndërsa u shty për kreun e Gardës së Republikës Gramos Sako, pasi kërkoi më shumë kohë për të vërtetuar sipas tij pastërtinë, pasi u kap me shkelje.
Ditën e sotme përpara KJV ka dalë edhe kreu i task forcës “Forca e Ligjit” Artan Shkëmbi njëherësh edhe kandidat për kreun e BKH. Për Shkëmbin komisioni i vlerësimit ka evidentuar probleme sa i takon kriterit të pasurisë por edhe në atë të pastërtisë së figurës ku kreu i task forcës rezulton se ka qenë punonjës operativ në ish-sigurimin e Shtetit dhe se nuk ka plotësuar me korrektësi formularin e dekriminalizimit.
Lidhur me këto probleme, Shkëmbi i shoqëruar nga avokati i tij Saimir Vishaj kanë paraqitur prova të reja që sipas tyre vërtetojnë pastërtinë e figurës së tyre teksa kanë kërkuar ngritjen e një grupi ekspertësh për verifikimin e pasurisë kërkesë kjo që është hedhur poshtë nga KJV. Tashmë me vënien në dispozicion të dokumentacionit të ri nga kreu i task forcës “Forca e Ligjit” KJV pritet të caktojë një datë për ti komunikuar vendimin për konfirmimin ose jo në detyrë.