Ka shkuar në katër numri i të arrestuarve për shkëmbimin e zjarrit në qytetin e Shkodrës mes një grupi të rinjsh gjatë mbrëmjes së 5 shkurtit. Sipas policisë i arrestuari është Liridon Lushi banues në lagjen Tepe, Shkodër dhe ishte pikërisht ky person ai që ka ndërhyrë për të pritur tre të arrestuarit e tjerë të cilët i bënë atentat Mirsad Metës dy ditë më parë në pedonalen e Shkodrës.

Shkak i konfliktit mes të rinjve u bë tritoli i vendosur në murin e banesës së një efektivje policie në Durrës, Ornela Buraku më 25 janar 2020. Autori i kësaj ngjarje dyshohet të jetë dyshohet të jetë Mirsad Meta, 26-vjeçar nga fshati Bërdicë i Shkodrës, tashmë i shpallur në kërkim nga policia.

Mbrëmjen e djeshme, ndaj tij u bë një atentat, ku tre të rinj, mes të cilëve edhe vëllai i efektives së Durrësit, Ension Buraku, qëlluan me armë ndaj Mirsad Metës por plumbat kapën vetëm makinën e tij luksoze, një BMW me targa gjermane, dhe aksidentalisht u plagos lehtë në këmbë një kalimtare e rastësishme.

Për këtë ngjarje në Durrës ditën e djeshme policia arrestoi Argjend Rexha, Ension Buraku, të dy banues në Durrës si dhe Rihad Xheladinin, banues në Shkup, Maqedoni. Ndërkohë në kërkim u shpall Mirsad Meta pronari i makinës, i cili gjithashtu iu kundërpërgjigj me armë zjarri autorëve.