Kur Gjoni hyri në derën e Zyrës për Djem dhe Burra (ZDB) nuk arrija ti besoja syve. I gjatë, i bukur dhe jo më shumë se 25 vjeç, ky djalë/burrë është tashmë i divorcuar me një fëmijë dhe mbi të gjitha me damkën e një dhunuesi. Ndërsa psikologu Endrit Uligaj, koordinator i kësaj zyre, (pjesë e organizatës “Gruaja tek gruaja” më tregonte historinë, i thashë se doja ta njihja nga afër dhe të flisja me Gjonin. Moshatarët e tij në Tiranë, jo vetëm që nuk mendojnë të krijojnë familje por duan akoma tu bëjë shërbim mami. E megjithatë konteksti është përcaktues dhe Gjoni vjen nga rrethinat e largëta të Shkodrës ku mentaliteti nuk mund të lejojë 2 të rinj të rrijnë për shumë kohë të dashuruar pa presionin e familjeve.

“U njohëm në gjimnaz e pas 7 8 muajsh u fejuam e martuam. Ne thjesht donim të rrinim bashkë, kjo ishte e vetmja mënyrë”-më thotë duke ulur sytë. Shumë shpejt e dashura, iu bë grua dhe menjëherë nëna e fëmijës së tyre. Çifti pati mosmarrëveshje që në fillimet e tyre dhe thuajse çdo diskutim kthehej në debat. Shkaku kryesor, siç tregon vetë Gjoni, ishte dëshira e gruas së tij të re që të iknin nga ajo shtëpi e të krijonin një të ardhme vetëm ata të 3 (bashkë me djalin) Por Gjoni këtë nuk mund ta toleronte, jo vetëm se s’mundet kurrësesi të lërë nënën e babain, por mbi të gjitha sepse ai është “Burrë”.

“Ne kështu jemi rrit, burri vjen i pari, duhet me ju dëgju fjala”

Shumë shpejt debatet nisën të degradojnë në dhunë dhe pas disa episodeve, e shoqja vendosi të mos durojë më dhe të largohet nga shtëpia. Ishte pikërisht ky momenti kur Gjoni e humbi toruan sepse “Ajo” gruaja, kishte guxuar ta kundërshtonte fjalën e tij e mbi të gjitha, ta braktiste. Gjithw zemwrim, ai shkoi te shtëpia e prindërve të gruas dhe tentoi të marrë mbrapsht “atë që I takonte” Por ajo refuzoi dhe Gjoni kapërceu çdo limit duke ushtruar dhunë si asnjëherë më parë.

“Isha ba si me fiksime, sikur të gjithë më shihnin mu. Isha i mbushur me mllef”. Sot më vjen turp. Si e çova veten deri aty”

Vetëm sot, pasi kanë kaluar gati 2 vjet, ai ka gjetur forcën jo thjesht për të treguar për dhunën dhe vuajtjen që I shkaktoi ish bashkëshortes por mbi të gjitha për të reflektuar mbi përgjegjësinë e tij. Por për këtë janë dashur muaj të tërë pune nga psikologu i tij, Fatjon Taipi i cili është pjesë e Zyrës për Djem dhe Burra, shërbim ky që ofrohet nga shoqata “Gruaja te Gruaja” që prej vitit 2014 në Shkodër.

“4-5 seancat e para kemi folur për gjithçka, vetëm për dhunën s’kemi folur. Ai e dinte shumë mirë se për çfarë kishte ardhur, edhe unë e dija por ishte shumë rezistent” thotë Fatjoni. Ai është i kënaqur me ecurinë e Gjonit pas 12 seancave që ka realizuar dhe beson fort se nuk do të ushtrojë më dhunë nëse nesër do të krijojë një marrëdhënie të re. Por smund ta thotë me siguri të plotë, sepse Gjoni është produkt i dhunës dhe një sjellje të mësuar nga sistemi patriarkal ku është rritur.

“Ka patur dhe shumë dhunë madje në familjen e tij edhe pse ai e kishte të vështirë ta pranonte. Edhe nana kur merrej me bashkëshorten e tij i thoshte: Hë se dhe mua më ka rrahur burri por tani nuk më rreh më. Për tja bërë sa më normale situatën. Bazuar në progresin që ka arrit, besoj që s’ka me ushtru dhunë nëse krijon një marrëdhënie tjetër por nuk jam 100 % i sigurt” thotë Fatjoni.

Dhuna si pjesë “normale” e jetës

Por Gjoni është vetëm një nga qindra në të gjithë qarkun Shkodër që kjo zyrë e vogël në qytet përpiqet ta rehabilitojë. Janë pikërisht burra si Fatjoni, Endriti e 2 djem të tjerë që japin këtu çdo ditë jo thjesht ndihmë psikologjike por një copëz nga jeta e tyre për ti ndihmuar këta dhunues të heqin dorë nga të ushtruarit e dhunës, që fatkqësisht është një fenomen i pranuar nga shoqëria.

“Shumë prej dhunuesve e shohin respektin apo barazinë gjinore si humbje të burrnisë. Nqs, gruaja është e lodhur dhe po gatuan, nëse ti shkon ta ndihmosh po humbet prej burrnisë. Është aq e përhapur dhuna saqë edhe një profesoreshë me tituj shkencorë e pranon dhunën. Pra kaq i thellë është ky fenomen saqë ato raste që raportohen janë ato kur dhuna ka qënë aq ekstreme saqë është dasht me ba diçka për me shpëtu jetën e viktimës” thotë Fatjoni.

E megjithatë raportimet e dhunës janë rritur. Vetëm vitin e kaluar janë dhënë mbi 300 urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata e rrethit Shkodër dhe vetë Uligaj, thotë se numri sa vjen dhe rritet. Por, ka shumë më shumë raste që nuk raportohen, pikërisht nga fakti se për një pjesë të shoqërisë, një burrë që ushtron dhunë është thuajse normalitet.

Konviktet e djemve “fabrika” të dhunuesve të ardhshëm

Por për Endritin, Fatjonin e 2 djemtë e tjerë që punojnë në “Zyrën për Djem e Burra” rreziku më i madh që i vjen shoqërisë është nga rrethi vicioz i dhunës, vazhdimësia brez pas brezi. Dhe këtë ata e shohin thuajse çdo ditë në punën e tyre me të rinjtë ku niveli i dhunës është mjaft i lartë. “Që vjet kemi nisur një formë të re këshillimi me djemtë e rinj për të menaxhuar agresivitetin. Interesi jonë është që të punojmë me të rinjtë, burrat dhe prindërit e ardhshëm por që kanë sjellje agresive me njëri tjetrin me shokët apo të dashurat”

Pas pyetësorëve dhe intervistave individuale, djemtë e ZDB-së diskutojnë me këta të rinj për për tema të caktuara mbi sjelljen, emocionet dhe mënyrën e menaxhimit të agresivitetit. “Shohim që ka shumë nevojë sepse sidomos në ambjente ku djemtë vijnë nga zona të ndryshme, janë të detyruar të rrinë bashkë dhe krijohen përplasje. Janë ambjente ku haset tendenca për sjellje të dhunshme. Por ka probleme edhe me drogën, vjedhjet apo edhe shkelje të tjera, pra kriminalitet” shpjegon Endriti.

Në Shkodër ka 4 konvikte me djem të shkollave profesionale dhe fetare. Aty gjen djem nga zona të ndryshme të vendit, me kultura e mendësi të ndryshme që u duhet të bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Është pikërisht aty ku “formohet” karakteri i disa prej dhunuesve të ardhshëm dhe nevojitet ndërhyrja e psikologëve.

“Niveli i dhunës është shumë i lartë. Është dëshpërues fakti që kur bëhet fjalë për dhunën në familje, që ka shkaktuar babai tek nëna nuk e pranojnë, por mënyra dhe sensi i mbrojtjes që kanë ndaj partneres kalon deri në posesivitet. Pra e mendojnë edhe e veprojnë, zihen e arrijnë në dhunë verbale dhe emocionale edhe për një foto apo një shëtitje” shpjegon Fatjoni.

Sipas tij, ajo çka është më e frikshme është nuk bëhet fjalë për raste të izoluara çka duhet të na alarmojë të gjithëve por më së shumti institucionet “Tek konviktet është tregues dominant kryesisht. Pothuajse të gjithë djemtë e kanë këtë mendësi” Pavarësisht tablosë gri, puna e Zyrës për Djem dhe Burra ka rezultuar mjaft e suksesshme në këto 6 vjet. Ndaj nga 2 zyra të tilla (bashkë me Linjën e Këshillimit për Burra dhe Djem në Tiranë) që kanë funksionuar deri më tani, brenda këtij viti pritet të nisin punën dhe 3 të tjera, në Vlorë, Elbasan dhe Pogradec.

(Marrë nga Bitchmagazine)