Vite larg nga arratisja e dy të rinjve nga Velipoja, më 2018 familjarëve u vjen një informacion i rëndësishëm. Historia e arratisjes spektakolare nga lumi Buna me litarë, i dy shokëve Nikolin Bori dhe Dedë Fshari në të njëjtën ditë erdhi e rrëfyer në emisionin ’’Pa gjurmë’’ nga familjarët e tyre. U ka mbetur gjallë një shpresë, ajo se dy djemtë kaluan kufirin shëndoshë e mirë, kur u arratisën më 22 dhjetor të vitit 1990. Dëshmia e një zotërie nga Dukagjini me emrin Vath Toma hedh më shumë dritë mbi fatin e tyre. Ky dëshmitar pretendon se jo vetëm i ka takuar dy të rinjtë asokohe, por edhe i ka strehuar
’’Pyeta në degën e Punëve të Brendshme në atë kohë se kisha frikë mos i kishin vrarë në kufi. Një person më erdhi pas 18 vitesh, një nga Dukagjini më tha se i ka takuar dhe ata i kanë thënë jemi nga Velipoja. I ka marrë i ka çuar nga Mali i Zi në Tuz. Ky person ishte i arratisur vetë. Sipas këtij personi janë nisur drejt Hollandës. Quhet Vath Toma ai që na e dha këtë informacion’’-rrëfeu Kolë Fsharri, babai i Dedë Fsharrit, në studion e emisionit ’’Pa gjurmë’’.
Dy shokët e ngushtë asokohe Nikolin Bori 18 vjeç dhe Dedë Fsharri 20 vjeç kishin punuar bashkë, deri kur vendosën të arratiseshin nga Shqipëria.
“Të dy kanë punuar bashkë dhe kanë qenë shokë të ngushtë. Nëna mua më vd.iq burri sa më iku djali”, rrëfeu mes lotëve nëna e Nikolinit, Gjelina Bori.
“Kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë. Motra jonë ishte 6 muajshe. Ai e pa dhe më pas iku. Vetëm të na thonë, a janë gjallë”, ishte ky apeli i motrës së Nikolinit, Liljanës nga studio e emisionit ’’Pa gjurmë’’
Dy shokët shkodranë u arratisën duke sfiduar temperaturat e ulëta, mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit 1990, përmes lumit Buna në Shkodër, duke përdorur litarë dhe komardare për të kaluar rrjedhën. Nën terrin e asaj nate, mister mbeti edhe fati i dy të rinjve. Informacionet që mbërritën më pas ishin kontradiktore, në kuadrin e gojëdhënave. Dikush tha asokohe pasi kaluan kufirin, dy shokët kishin qëndruar në një hotel, emri i të cilit nuk bëhet i ditur në ishJugosllavi. Familjet e dy djemve ende mbajnë shpresë për ekzistencën e tyre. Por siç thonë ata, vitet e largëta nga zhdukja e tyre kanë mbuluar gjurmët. Sot, Dedë Kolë Fsharri është 50 vjeç, ndërsa shoku i tij në këtë arratisje Nikolin Zef Bori është 48 vjeç.
E vetmja shpresë për ta është dëshmia e Vath Tomës me të cilin stafi ’’Pa gjurmë’’ po bën të pamundurën për t’u lidhur, si një nga dëshmitarët kyç që mund të ketë dijeni për fatin e dy shokëve.