Një status i tij në muajin shtator të vitit 2018, ku kritikonte Policinë e Shtetit për dy vrasje të ndodhura në Mamurras, i kushtuan atij përjashtimin nga grupi parlamentar socialist. Ishte kryeministri Edi Rama që i kërkoi Asamblesë së PS, përjashtimin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, duke bërë që ky i fundit të qëndronte në Parlament si deputet i pavarur.

Por së fundmi ish deputeti socialist ka vendosur ti bashkëngjitet Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjetan Gjetani në një intervistë për News24 tregon edhe kur lindi ideja për tiu bashkuar LSI-së. Deputeti i Kurbinit shprehet se ai nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment me bandat kriminale, për të marrë mandatin e tij, sepse nëse ai do të ishte pjesë e botës së krimit, do të ishte akoma pjesë e Partisë Socialiste. “Nëse do isha pjesë e bandave, Rama s’do me kishte perjashtruar nga PS” shprehet Gjetani.

“Ideja për të kaluar tek LSI erdhi pas tërmetit. Më ka habitur mllefi i Ramës për Kurbinin” thotë ndër të tjera ai.Gjetani tregon se ka negociuar për tiu bashkangjitur LSI, drejtpërdrejt me kryetaren, Monika Kryemadhi. Ai thotë se nuk ka shkuar në këtë parti për të marrë premtime, por me qëllimin për të ndihmuar zonën e tij.

Ish deputeti socialist akuzon Edi Ramen se ka rrënuar shtetin shqiptar, duke dështuar në reformat më kryesore që ka ndërmarrë “Rama do mbahet mend për shkatërrimin e ekonomisë. Ka shkatërruar sistemin gjyqësor. Në çdo bashki bandë kriminale. Në administratë të gjithë të emëruar me urdhër të Ramës” deklaron ish deputeti i PS.

Gjetani deklaron se djegia e mandateve ka qenë një gabim sipas tij nga opozita. Sa i përket mandatit të tij tashmë që ka kaluar me LSI në ai thotë “LSI do të vendosë për mandatin tim”

Por a është e moralshme kjo lëvizje e deputetit të Kurbinit “Jam përplasur me Ramën jo për interesa personale Jam përplasur për interesa të qytetarëve” shprehet Gjetani.