Analisti dhe gazetari Ylli Rakipi ka folur në lidhje me mënyrën e politikbërjes nga kryedemokrati Lulzim Basha, dhe veprimet e ndërmarra për të ndjekur mandatet dhe një sërë procesesh të tjera.
Rakipi është shprehur se Basha duhet ta pranojë se ka qenë presioni i një ndërkombëtari të lartë, ku përmend emrin e Matthew Palmer, i cili sipas analistit e detyroi të tërhiqej nga aksioni i ndërmarrë në shkurt të vitit të kaluar.
“Duket sikur jemi në një film serial, në një “deja vu”, ku është shtuar 1 element tjetër. Ne duhet të ndalemi dhe të analizojmë faktin kur opozita shqiptare 1 vit më parë iu largua institucioneve, dhe ekstremizoi aksionin e vet politik, deri tek mosmarrja pjesë e zgjedhjeve vendore.
I gjithë ky aksion u zhvillua me idenë që ky pushtet, ishte kthyer në një regjim që vidhte votat, ngriti në këmbë një pjesë të mirë të shqiptarëve, i vuri përballë regjimit, dhe në verë, kryetari i opozitës e “kyçi” procesin që kishte ndërmarrë, dhe u rikthye përsëri në shtator.
U kthye në shtator, vazhdon të vërtitet pa thënë dhe pa bërë asgjë, pa u shpjeguar shqiptarëve se pse ajo që u nis nga Lulzim Basha, pra procesi, mbeti në mes.
Nuk shpjegoi se pse u largua nga parlamenti, dhe pse nuk hyri në zgjedhje. Duke e lënë procesin gjysmë, është njëlloj si të nxjerrësh shigjetën nga harku, ta lëshosh, dhe në mes të rrugës, shigjeta të të kthehet pas e të vetëasgjesohesh.
Pra opozita shqiptare kreu një akt kamikaz sepse procesin që nisi, e la në mes. Sot ajo pjesë e shqiptarëve, që mbështesin opozitën, nuk kanë asnjë shpjegim, janë të paqartë.
Lulzim Basha duhet tu japë një shpjegim, se pse u largua nga parlamenti, pse nuk hyri në zgjedhje, dhe pse u tërhoq, kush e detyroi të “zbythej” e të tërhiqej mbrapsht nga procesi i ndërmarrë. Zhgënjimi është i madh, dhe si rezultat kemi largim edhe më shumë të shqiptarëve”, tha Rakipi në Abc News.