Në qarkun e Shkodres numri i nxënësve është përgjysmuar, madje edhe në qytet shkollat numërojnë thuajse gjysmën e numrit të fëmijeve që kishin 5 vite më parë. Si në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme ka klasa që nuk i kalojnë 10 nxënës, e për të folur për 40 apo 50 nxënës në një klasë si deri përpara pak vitesh, është një luks, apo sic e shprehin vetë mesuesit, realitet i së shkuarës
Këtë vit të ri e nisi me kyçje përfundimtare të dyerve një tjetër shkollë në qark, pikërisht ajo e Vukpalajve në Malësi të Madhe, e cila nxënësit e fundit që nuk kapnin as shifrën e gishtave të dorës, i përcolli në një tjetër shkollë. Vendimi i zyrës arsimore të Malësisë së Madhe u mor në konsultim me drejtorinë rajonale arsimore në Lezhë, ku për shkak të numrit të pakët të nxënësve dhe kostos së lartë të mirëmbajtjes së godinës, apo dërgimit të mësuesve, u vendos që ajo të mbyllej e nxënësit e mësuesit të shpërnguleshin diku tjetër
Këtë fat të paktën do ta kenë sipas raportimeve të deritanishme edhe dy shkolla të tjera në këtë rreth, që janë lejuar të mbyllin edhe këtë vit shkollor me atë numër të ulët nxënësish që kanë. Gjithashtu edhe në rrethinat e Shkodres pritet që vitin e ri shkollor 2020 2021, për shkak të numrit të ulët të nxënësve të rrezikojnë mbylljen 3 shkolla