Drejtoresha e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho, nisi një aksion disa ditë më parë për të gjetur shkeljet në të gjitha subjektet që nuk zbatojnë ligjin anti-duhan në kryeqytet, aksion ky i përshëndetur edhe nga Dosja.al. Ndërkohë që, vetëm sot, një “lumë” denoncimesh ka mbërritur në redaksinë tonë për taksidarët që kanë shkuar sot nëpër biznese me qëllim ‘zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit’

Ne kemi përzgjedhur vetëm njërin prej denoncimeve, që tregon në mënyrë flagrante shkeljen e ligjit, ku dy individë të prezantuar si inspektorë të ISHSH vendosin gjoba, pa mandate…

Këta të dy janë inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor që kanë vënë gjoba me vlerën mbi 3 milionë lekë vetëm sot në Tiranë.

Johana Sinani, dhe Evald Bejaj, siç duket qartë nga kartat e identifikimit, janë paraqitur pa asnjë dokument të vlefshëm shtetëror. Sipas dokumentit zyrtar që mbajnë, ata kanë qenë inspektorë deri në 31 dhjetor 2017, dhe 31 dhjetor 2019… pra përtej çdo afati.

Këto dokumente identifikimi duhet të ndodheshin nëpër kosha plehrash ose duhet të ishin djegur në inceneratorë, por në fakt janë të varur në qafën e inspektorëve.

Me këtë dokument, që mund ta kenë marrë edhe nga koshat e mbeturinave, ata i kanë dhënë fuqi vetes të bëjnë kërdinë nëpër Tiranë, duke shkelur ligjin për Inspektimin dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.

Në nenin 27 të ligjit për Inspektimin, përcaktohet qartë se Inspektimi bëhet me një autorizim të lëshuar nga drejtuesi territorial. Autorizimi lëshohet për një periudhë të caktuar dhe pa autorizim mund të inspektohet vetëm në rastet që përcaktohen në pikën 2 të nenit 27.

Inspektimi mund të fillojë pa autorizimin, sipas pikës 1 të këtij neni, vetëm kur: a) konstatohet në flagrancë nga inspektori shkelja e një kërkese ligjore, brenda fushës së tij të inspektimit; b) inspektohet për rastin e ndodhjes së ngjarjeve, aksidenteve apo incidenteve, që kanë cenuar apo mund të cenojnë jetën a shëndetin e njerëzve, kafshëve apo mjedisin, parashikuar në shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 25 të këtij ligji; c) inspektohet për rastet e parashikuara me ligjet e posaçme, që kryhen në pikat e kalimit kufitar; ç) parashikohet shprehimisht nga ligji i posaçëm.

Inspektorët, jo vetëm që nuk kanë patur autorizim, por as një dokument të vlefshëm identifikimi. Ata bredhin nëpër Tiranë njësoj si ata që vënë maska ose çorape në kokë dhe gjejnë bizneset më të rregullta, që për një shkelje fare të vogël përçojnë gjoba nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë të reja. Ky banditizëm nuk ushtrohet dot në bizneset e parregullta të të fortëve, sepse ka përplasje bandash.

Ligji e përcakton shumë qartë gjithsesi që gjobat që ata kanë vënë sot në Tiranë janë totalisht të pavlefshme. Në nenin 35 të ligjit për Inspektimin thuhet se subjekti, pra biznesi që po inspektohet ka të drejtën t’u kërkojë ispektorëve identifikimin nëpërmjet kartës. Inspektorët janë identifikuar me këto karta, që e bëjnë inspektimin të pavlefshëm, e shndërrojnë atë në një gjobë banditësh që duan të paraqiten si punonjës të Shtetit, por janë shkelës të ligjit.