Nga Luljeta Progni
Ishte e shtunë, data 3 gusht e vitit 1991. Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, po diskutohej një ndër projektligjet më të rëndësishme të muajve të parë të parlamentit të parë pluralist, projektligji për PAfajësinë e të burgosurve politikë të kohës së diktaturës. Kishin kaluar vetëm tetë muaj prej ditës kur kishte rënë diktatura komuniste në Shqipëri. Prej disa muajsh kishte nisur lirimi i të burgosurve politikë, ndërkohë Parlamenti diskutonte ato ditë për faljen apo pafajësinë e tyre. Nëpër burgje kishte ende të burgosur politikë edhe pse me shpalljen e pluralizimit në dhjetor 1990 ata duhet të kishin dalë menjëherë nga burgu.
Të pafajshëm apo të anmistuar Si do të quheshin këta njerëz që kishin kaluar gjithë jetën burgjeve, që familjet e tyre ishin persekutuar mizorisht për këtë po diskutohej në seancën parlamentare të 3 gushtit, nga demokratë e komunistë.
Për Pa fajësinë e tyre po diskutohej nga ish-anëtarë të byrosë politike, si Xhelil Gjoni, nga ministri i Brendshëm i kohës, Gramoz Ruçi, nga ish deputetë të kohës së diktaturës, nga Adil Çarçani e shumë e shumë të tjerë.
Kështu ka nisur historia jonë e përballjes me të shkuarën. Më poshtë publikojmë fjalën e mbajtur nga Pjetër Arbnori në atë seancë për pafajësinë e të burgosurve politikë
Arbnori kishte kaluar jo pak, por 28 vite të jetës së tij nëpër burgjet e diktaturës. Është quajtur Mandela i Shqipërisë. Fjalimi i tij në ato fillime të demokracisë, është një leksion mbi lirinë para atij Kuvendi ku kishte demokratë, por edhe shumë komunistë që e donin ende diktatorin Enver Hoxha.
E publikojmë këtë fjalim në përvjetorin e 85 të lindjes së tij.