Fillimi i punës nga aq e shumëpritura Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, ka qenë një proces intensiv i cili pritet të vijojë i tillë. E gjithë vëmendja që merr SPAK vjen nga pritshmëritë lidhur me mundësinë për të arrestuar peshqit e mëdhenj e të gjithë presin sa më shpejt rezultate konkrete nga ngritja dhe funksionimi i strukturës më të përfolur të Reformës në Drejtësi.

Por suksesi apo dështimi në punën e këtij institucioni varet nga disa faktorë. Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi ngriti shqetësimin për gamën e gjerë të veprave penale në fushën e korrupsionit, gjë të cilat sipas tij nuk duhet të ishin në juridiksionin e SPAK

Ibrahimi tha se nëse duhen rezultate pozitive në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme të reduktohet dhe të përqendrohet tek ata zyrtarë që kanë peshë. Një tjetër shqetësim që ngriti Gent Ibrahimi ishte edhe mënyra e financimit të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, KLP dhe SPAK janë të nënfinancuara, ndërsa tha se duhen me shume burime njerezore dhe financiare.

Një çështje me rëndësi jetike në suksesin apo dështimin e hetimit të korrupsionit është zgjedhja që bën legjislatori në lidhje me juridiksionin e prokurorisë së posaçme, me fjalë të tjera zgjedhja e portofolit të veprave penale që hetohen nga kjo zyrë prokurorie apo nga një zyrë tjetër prokurorie, në rastin tonë është fjala për portofolin e SPAK. Po ta krahasosh sferën e çështjeve penale që heton sot SPAK në krahasim me atë sferë çështje që hetonte Prokuroria e Krimeve të Rënde është evidente një ngushtim dhe përqendrim tek ato vepra penale që janë të rëndësishme, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Kam një pikëpyetje për këtë të dytën, që jam i bindur që do dëgjojmë për të gjithmonë e më shpesh në të ardhmen nëse zgjedhja që është bërë për juridiksionin e SPAK sa i takon korrupsionit është apo nuk është më e mira

Fakti është që prokuroria jonë e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë. Është vërtetë jetike që zgjedhja, vendimet në lidhje me juridiksionin të jenë të tilla që të mundësojnë rezultatet që ne i presim. Në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar atyre funksionarëve që kanë peshë, u shpreh kreu i KLP, Gent Ibrahimi