172 të burgosur që vuajnë dënimin në burgun e Reçit në Shkodër në një letër drejtuar Report Tv kërkojnë nga qeveria që të ndryshojë projektligjin për amnistinë që ka përgatitur dhe do të miratojë në parlament në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Nga projektligji i amnistisë përfitojnë disa kategori, por ajo që ka sjellë kundërshtimin e të dënuarve të Reçit është pika që parashikon uljen e 1/3 së dënimit për 28 gra. Të dënuarit e Reçit këtë e konsiderojnë si diskriminim gjinor.
Prandaj, ata i drejtohen qeverisë që në amnistinë e premtuar të ndërhyjë dhe të shikojë këtë pikë, pasi “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, si burrat edhe gratë” thonë të dënuarit.
Letra e të dënuarve të burgut të Reçit
Kërkesë drejtuar Report Tv
Jemi të dënuarit e burgut të Reçit Shkodër. Duke u bazuar te neni 18 të gjithë janë të barabartë para ligjit. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindja politike, fetare, filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale dhe përkatësia prindërore.
Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqe të përmendura në paragrafin 2 nëse nuk ekziston një përligj i arsyeshëm dhe objektiv. Amnistia e vitit 2019 që është premtuar dhe akoma nuk është dhënë.
Kërkojmë ta shikoni me përpikmëri këtë cështje gjinore, se të gjithë janë të barabartë para ligjit, si gratë edhe burrat, të ulet 1/3 dënimit. Kërkojmë nga Report Tv të ngrejë zërin për të burgosurit që vuajnë dënimin. Me respekt për Report Tv, të dënuarit e Reçit në Shkodër.