PKryetarja e Bashkise Shkoder Voltana Ademi ne ceremonine e 107 vjetorit te Policise se Shtetit ka hedhyr akuza te forta ndaj procesit te vetingut ne drejtesi, por duke apeluar qe ai ne policine e shtetit te mos jete i njejte.

Edhe sot, Policia e Shtetit vazhdon të jetë përballë sfidave të rëndësishme për të sotmen e të nesërmen e saj. Spastrimi i rradhëve të saj nga elementë të inkriminuar, bashkëpunëtorëve të kriminelëve të rrugës dhe atyre me kollare, duhet të dalin një orë e më parë nga rradhët e policisë së shtetit.
Elementë që e kanë bazuar karrierën e tyre me mbështetje politike, duke u kthyer në vegla të pushtetmbajtësve të rradhës, duhet të dorëzojnë kapelën dhe tu hapin rrugën atyre që e meritojnë.
Edhe pse prej muajsh po flitet për vetting edhe në rradhët e Policisë së Shtetit, akoma nuk ka rezultate të prekshme e të besueshme. Uroj që vettingu në Policinë Shtetit të mos jetë nën shembullin selektiv të atij në sistemin e Drejtësisë.

Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit,
Personalisht e di se keni marrë përsipër një detyrë të vështirë. Shpesh e kryeni duke u përballur me situata të rrezikshme, ndoshta edhe pa logjistikën e duhur. Edhe trajtimi juaj financiar, mendoj se ka nevojë të rishikohet, sidomos në sektorët ku rrezikshmëria, ngarkesa dhe stresi profesional janë në nivele të larta. Por, përtej të gjithave, deri në momentin që keni marrë përsipër këtë detyrë, duhet ta realizoni me ndershmëri e profesionalizëm, paanësi dhe vetëm në zbatim të ligjit.
Fati e deshi që Policia e Shtetit të asistohej nga ndërkombëtarët që në krijimin e saj. Misioni holandez në vendin tonë në 1913-ën, dha një kontribut të lavdërueshëm. Por edhe sot, misionet ndërkombëtare të vendeve mike, partnere perendimore në Shqipëri, vazhdojnë të na mbështesin dhe meritojnë veçse falënderime e respekt.
Gëzuar ditëlindjen e 107- të Policia e Shtetit!
Suksese të gjithëve për të mirën tonë të përbashkët!