Me 114 vota për Kristian Shkrelin, dhe 3 vota për Elvis Preçin dhe 1 abstenim ka përfunduar edhe procesi i zgjedhjeve për kryetar të PS-së në Vaun e Dejës.

I deleguari i kryesisë Alfred Peza i pranishëm në këtë proces ka folur për zgjedhjet në PS, duke deklaruar se gjithçka ka qenë transparente dhe demokratike ndërkohe që PS, sipas tij, është gati për një mandat të tretë qeverisës në 2021.

I pyetur për procesin e reformës zgjedhore dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend, Peza u shpreh se kriza është vetëm tek opozita ndërkohë që deklaroi se mazhoranca do të presë deri në fund propozimet e opozitës për reformën zgjedhore.

“PS është më e fortë se kurrë, në krizë është opozita, pasi për herë të parë pas 30 viteve që opozita ndodhet jashtë Parlamentit, nuk ka asnjë pushtet në qeverisjen lokale dhe në atë qendrore, kjo ka ardhur për shkak se lidershipi i tyre donte të injektonte një krizë artificiale.

PS është nga ato parti që mëson nga gabimet, dhe jemi forca e vetme që japim garanci për vijimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe integrimin e vendit. PS që pas zgjedhjeve të 2017, u bë partia e parë që kërkoi zhvillimin e Reformës Elektrorale në fillimin e mandatit, dhe jo siç ndodh zakonisht në fundin e tij.

Kemi bërë thirrje që në shtatorin e 2017 për krijimin e një komisioni bilateral për Reformën Zgjedhore, dora jonë mbetet e shtrirë për bashkëpunimin me opozitën”, u shpreh Peza.

I pyetur për kryebashkiakët në rritje me të shkuar kriminale, Peza deklaroi se gjithçka po ndodh me denoncimet e PD dhe faktimet nga prokuroria për kryebashkiaket me të shkuar kriminale, janë një proces që i takon autoriteteve.