Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të Policisë që të mos e lejojnë daljen e materialeve hetimore për ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur vendin.

Duke iu referuar vrasjeve të ditëve të fundit, Lleshaj ka urdhëruar vartësit e tij që të mos kenë asnjë komunikim me mediat. Sipas tij, informacionet që media ka publikuar po skandalizojnë opinionin publik pasi interpretohen në mënyra të ndryshme.

“Përshëndetje të nderuar shefa Komisariatesh dhe sektorësh. Marr shkas nga dalja në media të materialeve procedurale si në rastin e vrasjes në Rrëshen dhe vrasjes në Paskuqan ku dalin detaje të cilat jo vetëm që bëjnë sekret hetimor po skandalizojnë opinionin duke i interpretuar çdofarë personi.

Ju porosis:

Asnjë komunikim me mediat për asnjë lloj argumentimi. Pasqyrimi i punës suaj do të bëhet nëpërmjet zëdhënësit të drejtorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme. Në çdo rast që do të konstatoj do të filloj pa hezitim ecurinë e rëndë disiplinore ndaj jush. Me të njëjtin shqetësim përcilleni të vartësit tuaj këtë mesazh. Nuk dua justifikime për daljen e tyre por ju porosis të jeni të vëmendshëm për ecurinë. Konfirmoni” shkruan Lleshaj në mesazhin nga Ministria e Brendshme.