Përse po i fshihet përgjegjësive të saj ministria e Infrastrukturës dhe energjitikës dhe vetë titullarja Belinda Balluku?! Në Shkodër kjo ministri sëbashku me autoritetin rrugor shqiptar që ka në varësi, po vijon të mbajë peng punimet në By pass-in e qytetit, e ku bashkëpunëtore në gjithë këtë mes është edhe vetë bashkia e qytetit.

Megjithëse lamë pas javën e parë të vitit të ri dhe zyrtarisht ka hyrë e dyta, në terren nuk shihet askush të punojë, e madje cdo gjë është braktisur në këtë zonë. Sikur të mos mjaftonte ecuria e ngadaltë e punimeve, ku shumë prej pikave të parashikuara në projekt janë pa u mbyllur, by pass-i ka rinisur të kthehet në vend grumbullimi mbeturinash e inertesh, si dhe tokat përreth sa herë bie shi i përmbyt, si pasojë e mos projektimit të kolektoreve.

Ngërçi tjetër është krijuar me pjesën e gjykatës së Apelit, ku ende nuk është ndezur drita jeshile për prishjen e murit rrethues si dhe garazhit. Gjithashtu në këtë pjesë shtetit i ka lindur një konflikt i ri me privatin, i cili nuk i jep akses që të dalë në hyrje të Shkodres, pasi toka është pronë private, apo thënë në zhargonin e njohur shqiptar, ka dalë “tokë e zanun”.

Po mbahet peng prej 9 vitesh një investim madhor, por në të njëjtën kohë edhe dhjetra hektarë tokë të cilat banorëve ju morën për këtë vepër, por paratë ende nuk i kanë marrë, sic parashikon ligji i kompensimit. Me vështirësi financiare që ka buxheti i shtetit, behet me dije se by pass-i mundet që këtë vit të mos shohë në terren firma që punojnë, e degradimi, ndotja dhe problematikat e tjera të zgjerohen, duke i shkaktuar Shkodres një masakër të vertetë mjedisore që prej kaq vitesh kryhet në brigjet e liqenit, zonë e mbrojtur Ramsar, me konventat ndërkombëtare.