“BANKA” E SHKODRËS

Shkodrën në shuplakë të dorës e kam,
Shkodra më ka në shuplakë të dorës,
Jam denbabaden i kshtenë dhe mysliman,
Lindun në rranjë e petale t’ luleborës.

Lindun në rranjë të lisit të lirisë
Në degët e t’cilit s’pushon korbi, por shqiponja,
Ku mësova me gjak t’vadis tokat e Ilirisë
Rrethue nga malet plot mite e gëzhonja.

Edhe pse gjysh, tamlin e Rozafës përditë e pi,
Si pinjoll i Barletit e idhull i Migjenit të sjell një risi,
Do kem djep Liqenin që më përkundë me valë,
Jaret si arie që ma mbajnë shpirtin gjallë!

U mplaka, u zbardha, kuletën s’e kam plot
Ti Shkodër më ban ma të pasunin në glob,
Sa askush, jo-jo askush s’më ban karshillek
Se kam Banken tande plot me zotnillek.

Shkodër, bijë e Krishtit dhe e Muhametit,
Të puth ballin e ndritun e trinen e dorës,
Ti që i jep forcë e shndrit fjalën e poetit,
Të lindun në rranjën e shpirtin e luleborës!

Shkodër 4 janar 2020

SKËNDER TEMALI

PS: në foto kështjella e Rozafës dhe skulptura e Mbretit Gent, realizuar nga skulptori shkodran Ferid Kola, foto Ergys Temali