Lideri i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, thotë në një intervistë për KosovaPress se nisma rajonale, e quajtur minishengen ballkanik, është skandal për faktorin politik shqiptar kudo që jeton.
Sipas tij, përmes kësaj nisme, Serbia po i mundëson Rusisë të shtrihet në vendet e rajonit, ndërkohë që shqiptarët vazhdimisht bënin përpjekje të largonin influencën ruse nga Ballkani.
Sela u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që sa më parë të formojnë Qeverinë, në mënyrë që të mund ti përgjigjen institucionalisht kësaj nisme.
Sela thotë se kjo nismë rajonale, krahas zhvillimeve të fundit, dhe deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ka bërë të shqiptarët të flasin me vete dhe të ndjehen të irrituar.
Ai kujton çështjet me të cilat u përballë Maqedonia e Veriut kohët e fundit, përfshirë këtu ndryshimet kushtetuese dhe marrëveshjen me Greqinë, duke thënë se faktori politik shqiptar çdoherë u mundua për largimin e influencës ruse nga Ballkani.
Sipas tij, një nismë e tillë rajonale vetëm sa e sjellë Rusinë në vendet e rajonit.
Sela shton se nëse nismat rajonale nuk i kanë të përbashkëta orientimet strategjike të vendeve, ato nuk mund të funksionojnë.
Por ai thotë se qëndrimi i faktorit politik në Kosovë krahas kësaj nisme, duke refuzuar pjesëmarrjen, është i drejtë, meqë ende ka plagë të pashëruara të shqiptarët.
Këtu, ai përmendi të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë, gratë e dhunuara seksualisht dhe mos-kërkimfaljen nga ana e Serbisë.
Ai tha se nuk mund të pritet përkrahje e nismave të tilla nga ana e shqiptarëve derisa Serbia nuk kërkon falje publike për gjenocidin e kryer.
“Duhet dëmshpërblim për Kosovën nga ana e shtetit serb, kërkim-falja dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, atëherë mund të ulet të bisedohet për nisma rajonale” shtoi Sela /alsat.m