Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka folur për mediat pas inspektimit që kreu në sallën operative në Drejtorisë së Policisë së Tiranës , ku vëzhgoi masat që ky institucion ka ndërmarra në kuadër të festave të fundvitit.
Ai tha se strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë gjatë gjithë kohës në shërbim për të ruajtur rendin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve në mënyrë që festat e fundvitit të kalojnë të qeta dhe pa probleme. Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, Sandër Lleshaj foli për bilancin e policisë gjatë 2019, ndërsa shtoi se siguria publike është në nivelet më të mira historike.
Pronocimi i Lleshajt:
Ju falënderoj që keni ardhur, unë jam këtu sot bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të inspektuar punën që bëhet në qendrën operacionale të Policisë së Shtetit këtu në Drejtorinë e Tiranës, në prag të festave të fundvitit. Dihet që fundi i vitit sjell një ngarkesë të shtuar për Policinë e Shtetit, ngarkesë të cilës policia i përgjigjet me angazhim të shtuar.
Aktualisht policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore; e para në drejtimin e menaxhimit të të gjithë fluksit të kalimit në pikat tona kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori. Po kështu vëmendje e madhe i kushtohet çështjeve të trafikut, sigurisë rrugore në përgjithësi, luftës kundër krimit, mbajtja në monitorim e elementëve me precedentë kriminalë si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik.
Kryesisht dhe fokus i veçantë i Policisë është çështja e ruajtjes së festës nga zhurmat, nga incidentet, nga shpërthimet, nga fishekzjarret, nga kapsollat dhe gjithë elementët e tjerë piroteknikë, të cilët për vite të tëra kanë shqetësuar dhe kanë shkaktuar probleme të mëdha. Pra, për t’i përmbledhur do të thosha që fokusi është: kufiri, rendi publik, elementët me precedentë kriminalë dhe është përpjekja për të siguruar qetësinë e festës duke e parandaluar me vendosmëri të lartë përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat, siç përmenda, kanë shkaktuar shumë herë, dhe shpesh herë në të kaluarën dëme, deri dhe dëme për jetën. Këto janë pak a shumë çështjet themelore me të cilat po merret Policia e Shtetit.
Unë gjej rastin dhe shfrytëzoj praninë tuaj për t’iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të intensifikojnë bashkëpunimin me Policinë këto ditë. Me këtë nënkuptoj informimin për të gjithë ato raste të cilat shqetësojnë sigurinë publike dhe qetësinë publike.
Policia e Shtetit është e angazhuar me një prani të shtuar në territor për t’iu përgjigjur çdo shqetësimi qytetar dhe e rëndësishme mbetet që qytetarët të bashkëpunojnë, pra të informojnë Policinë e Shtetit përmes të gjithë kanaleve të cilat janë të gjitha funksionale, qoftë përmes telefonit 112-ës apo edhe numrave të tjerë, qoftë përmes aplikacionit Komisariati Dixhital, apo në rrugë të tjera, në mënyrë që të garantojmë që festat do të zhvillohen në qetësi të plotë ashtu siç duhet dhe të evitojmë çdo incident apo çdo person, i cili mundohet të shfrytëzojë nganjëherë festat për të bërë edhe veprimtari të dëmshme.
Bashkëpunim, telefonata në Policinë e Shtetit dhe të jeni të bindur që policia do të jetë, në kohën e duhur atje ku është e nevojshme. Një numër i madh i Policisë së Shtetit nuk do të ketë festë, do të ketë shërbim.
Pyetje: Zoti Ministër duke qenë se na ndajnë pak ditë nga mbyllja e vitit, si e vlerësoni rendin dhe sigurinë gjatë vitit 2019?
Ministri Lleshaj: 2019-ta ka qenë një vit i ngarkuar, e dini më mirë se sa unë ngarkesën që ka pasur Policia e Shtetit. mund të themi që po i afrohemi mbylljes së vitit me tregues mjaft optimistë, sa i përket progresit të bërë. Për këtë do kemi kohë të flasim ndoshta në ditët e para të janarit, në kuadër të një analize, ku do t’i pasqyrojmë më mirë treguesit. Por di të them kaq, që gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike.