Si anëtare e Bordit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Jonila Godole komentoi në studion e emisionit “Kjo Javë” në “News24” kërkesën për azil të Agron Tufës, ish-drejtorit të këtij institucioni, në Zvicër. Ajo shprehet se Tufa vijon të kërcënohet nga disa media dhe deputetë edhe pas dorëheqjes dhe largimit të tij nga ISKPK, dhe sipas saj, kjo bëhet për të frenuar punën e studimeve.
“Nuk na habit dhe është e trishtueshme qënë këtë vit 2020 kemi persona që ndihen të rrezikuar personalisht, familjarisht bashkë me fëmijët e tyre dhe marrin rrugën e gjatë, të vështirë dhe të mundimshme të azilit politik si në këtë rast që e ka marrë Agron Tufa që ishte Drejtori i këtij Instituti. Ai ishte ekspresiv dhe si shkrimtar edhe si studiues dhe si njohës shumë i mirë i dokumentacionit që lidhet qoftë me oficerët të sigurimit dhe të tjera. Ka qenë në qendër të goditjeve dhe nuk e ka pasur të lehtë të marrë këtë vendim. Ai tha që ndihej i shtrënguar ta merrte këtë vendim pasi i rrezikohej jeta atij dhe fëmijëve të tij. Këto detaje janë pjesë e një procedure e azilit politik, ne mbase kemi info. Por janë të pakonfirmuara. Fakt është që edhe mbas ikjes së Agron Tufës ai mund t’i ketë përdorur sulmet ndaj tij për arsye personale por kush jemi ne ta mbajmë këtë qëndrim.
Gazeta të caktuara në Shqipëri pas ikjes së tij dhe deputetë vijuan me një gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj tij. Kanë vazhduar me kërcënimet si ‘’do të gjejmë dhe në vrimën e miut po të futesh’’, pra është një kërcënim i hapur. Përpjekje për ta stopuar punën tonë në këtë fushë dhe është keq që të ikë një aktor i rëndësishëm, por ne do vijojmë luftën tonë në këtë pikë”
Gjithashtu ajo shprehet se me miratimin e Paketës Anti – Shpifje ISKPK do të ketë pengesa, pasi faqet ku informacionet e institucionit publikohen mund të bllokohen por ajo e konsideron këtë ligj jo serioz dhe pse si anëtare e Bordit ajo shpreh frikën nga pasojat e këtij ligji.
“Kam frikë me ligjin ‘Anti – Shpifje’ secila nga faqet ku ne ofrojmë informacione mund të bllokohet me shpejtësi për 48 orë t’i vendoset një ‘pullë’ një njollë në biografi që bie në kundërshtim me ligjin, dhe kjo është ironike pasi një ndër debatet e mëdha që ne kemi patur ka qenë a mundet në të vendosim një pullë për filmat propagandues të kohës së komunizmit dhe kjo jo vetëm nuk u bë, por TVSH që mbahet me taksat tona e ka intensifikuar shfaqjen e këtyre filmave, duke i dhënë ato vazhdimisht dhe unë më shpifje se sa në këto filma, nuk besoj se përhapin portalet e tjera. Prandaj qeveria nuk e ka seriozisht, e ka më shumë seriozisht mbase me ato portalet që janë kritike ndaj saj por problemi nuk qëndron me Shpifjen apo Anti – Shpifjen. Ne kemi një shoqëri indiferente, e cila edhe kur reagon, reagon në rrethin e ngushtë por nuk ka guxim që të flasë. Ka humbur guximin dhe kurajon.”- tha Godole.