Duke folur nga foltorja e Kuvendit për paketën anti-shpifje, kryeministri Edi Rama sulmoi dy prej figurave që kanë kundërshtuar ashpër këtë paketë, dhe që sot iu bashkuan protestës së gazetarëve para Parlamentit, Artur Zheji dhe Mark Marku.
Fillimisht, kreu i qeverisë iu përgjigj Artur Zhejit, duke thënë se bëri vajzën e bashkëshortes së tij, Linda Rama, Rea Xhillarin, dashnore të ministrit dhe për këtë humbi në gjyq, pasi sipas Ramës, ishte një shpifje e ulët. Ndërsa për Mark Markun, kryeministri risolli në vëmendje përplasjen e tij mbrëmjen e kaluar me deputetin socialist, Musa Ulqini, duke thënë se Marku shthuri gojën.
“Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë që do largohem nga Shqipëria po u bë ligji. Pasi shkoi në gjykatë, humbi dhe gjyqin atje, sepse ishte një shpifje e ulët.
Unë me këta jetoj e mbijetoj dhe një mijë vjet të tjera e s’i kam problem fare, por është për shoqërinë. Është për të ndaluar gjithë atë koncentrat helmi që hedhin nga mëngjesi deri në darkë.
Një tjetër hero atje jashtë është Mark Marku, që jo më larg se dje nuk la fjalë të ndyrë pa i thënë një deputeti, duke e kërcënuar se do i thyejë shishen në kokë. Ky ligj nuk është për deputetin, që të çojë përpara autoritetit Mark Markun se iu shthur goja në një moment të caktuar, por për të garantuar që publiku të mësojë më shumë mbi atë që thuhet. Nëse një qytetar lexon tërë këto të zeza, ka të drejtën të dijë nëse janë vërtet kështu.
Është një xhungël që merr para pafund lart e poshtë dhe nuk paguan asgjë. Xhungël që prodhon urrejtje, dizinformim, dëshpërim. Ky ligj nuk e cenon asnjë fije të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet e mundshme, por garanton mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njerëzve, kur iu cenojnë sipas qejfit”, tha Rama.