Maxhoranca ka bërë disa ndryshime në sekondat e fundit në paketën ‘Anti-shpifje’. Mësohet se me rregullimet e reja, pak para votimit në Kuvend, Autoriteti i Medias Audiovizive ka të drejtë të pezullojë apo të heqë licenca televizionesh.

Gjithashtu bëhet me dije se nëse disa ndryshime kanë lehtësuar portalet, gjërat janë vështirësuar për televizionet.

Paketa Antishpifje është miratuar në seancën plenare në Kuvend, të zhvilluar ditën e sotme. Në një seancë maratonë, të nisur që prej orës 10:00, Kuvendi kaloi për votim paketën antishpifje e cila u miratua me 82 vota pro.

13 votuan kundër, ndërsa 5 abstenuan, mes tyre ish-ministri Ditmir Bushati. Dosja.al mësoi se Bushati ka qenë kundër kësaj pakete dhe madje ka debatuar edhe me deputetin Taulant Balla.

Për më shumë se një vit kjo paketë është kundër shtuar nga dhjetëra shoqata të gazetarëve, si dhe nga ndërkombëtarët, por qeveria nuk ka marrë parasysh kritikat dhe sot kërkon miratimin e ligjit në Kuvend. Pas protestës e cila zgjati gati 3 orë, gazetarët thanë se do të organizojnë sërish protesta, edhe pasi të miratohet ligji.

MOSnaPREKfjalën, ishte slogani kryesor i protestës, ku u kërkua që të mos cënohej liria e shprehjes, pasi sipas tyre paketa anti-shpifje bëhet me qëllim që të mbyllet goja e mediave.

Dje, Kryeministri Edi Rama publikoi draftin final të paketës, ku ishin propozuar disa ndryshime nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kur sërish nuk ishin reflektuar të gjitha kritikat. KiE në një deklaratë u shpreh se ishte ende e shqetësuar dhe i kërkoi qeverisë që të tërhiqej, ndërsa OSBE tha se ishte dakord me draftin final. 15 organizatat mediatike që kundërshtojnë këtë projekt-ligj u shprehën se ata kërkojnë rrëzimin e plotë të ligjit dhe prandaj sot janë në protestë para Kuvendit, pasi për ta ky ligj është diktatorial.