Gjyqtari i Apelit në Shkodër, Astrit Kalaja, njëherësh anëtar i Kolegjit Zgjedhor, do të dalë në 18 dhjetor para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me rezultatet e hetimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Verifikimi i gjyqtarit Kalaja ka nisur që muajin shtator të vitit 2018, ndërsa dosje e tij po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj. Astrit Kalaja ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, duke vendosur për fituesin në atë kohë të garës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Në përfundim të procesit të rregullt të numërimit, Edi Rama fitoi përballë Lulzim Bashës me 10 vota diferencë.

Pas përfundimit të numërimit, nisi historia e vlerësimit të fletëve të hedhura ‘në kutitë e gabuara’, ku protagonist në atë kohë ishte Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ-së. Pas rivlerësimit të votave në ‘kutitë e gabuara’, Basha mori 124 786 vota, ndërsa Rama 124 705.

PS i ankimoi këto vendime të KQZ në Kolegjin Zgjedhor, me pretendimin se rivlerësimi i votave në ‘kutitë e gabuara’ nuk kishte bazë ligjor. Kolegji Zgjedhor, me trupë gjykuese të përbërë nga Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Entela Prifti, Petraq Dhimitri dhe Sashenka Jonuzi rrëzuan pretendimet e PS, duke legjitimuar lëvizjen e KQZ-së, e cila i dha në atë kohë Bashkinë e Tiranës Lulzim Bashës në tavolinë. Tetë vjet më vonë, Astrit Kalaja ishte sërish pjesë e Kolegjit Zgjedhor.

Është pikërisht Kolegji aktual ai i cili rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta, duke konfirmuar ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Pas këtij vendimi, Presidenti Meta, Partia Demokratike dhe LSI e sulmuan Kolegjin, duke e konsideruar si organ të kapur nga mazhoranca. Vendimi kundër Metës ishte 5:0, ndërsa Kalaja nuk ishte pjesë e turpit gjykues.

Sa i takon pasurisë, Astrit Kalaja ka deklaruar vetëm tre pasuri të paluajtshme.

Në vitin 2003, ka nisur edhe deklarimin e pasurisë, Kalaja deklaron një apartament me sipërfaqe 62 m2. Në vitin 2004 thotë se ka marrë një kredi për blerjen e një frigoriferi me vlerë 42 000 lekë, ndërkohë që vijon të deklarojë vetëm pagën e tij si gjyqtar si dhe të bashkëshortes në KESH. Në vitin 2007 deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 120 m2, me vlerë 38 400 euro, duke marrë 3 000 000 lekë kredi.

Po gjatë këtij viti deklaron blerjen e një makine tip Benz me vlerë 2 500 000 lekë. Në vitin 2013 blen 379 m2 tokë arë në Velipojë. Në këtë sipërfaqe ka edhe një ndërtim informal 60 m2.

/shqiptarja.com/