Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk po dakordësohen dot për qeverinë e re. Albin Kurti dhe Isa Mustafa u takuan ditën e sotme me qëllimin për të nënshkruar marrëveshjen, por edhe pse një herë u tha se gjithçka u mbyll, në fakt nuk ka ndodhur kështu.
Dy partitë kanë vendosur pas takimit 3-orësh që të vijojnë takimet nesër. Avdullah Hoti nga LDK tha se janë dakorduar që të vazhdojnë takimet me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërsa Glauk Konjufca i LVV-së, tha se pasi kanë parë avancim të raporteve, do të vazhdojnë me takime. Ndërkohë, sipas informacioneve, marrëveshja po mbahet peng nga pretendimet e larta të LDK.
Isa Mustafa kërkon që të marrë 5 ministri, postin e presidentit si edhe atë kryetarit të Parlamentit. Por këto kërkesa janë konsideruar të tepërta nga Albin Kurti. Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë takimi i nesërm.