Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Peqin në fshatin Përparim. Si pasojë viktimë ka mbetur 23-vjeçari Andi Zylyfi, i cili është djali i një punonjësi në burgun e Peqinit dhe është plagosur rëndë 21 vjeçari Ardit Uruçi i cili ndodhet në spital.

Fax News ka siguruar pamjet e rënda kur familjarët ulërijnë në spital për vrasjen e të riut dhe një zë dëgjohet që thërret me ngashërim “Zgjohu se nuk ke bërë asgjë, zgjohu!”.

Burime bëjnë me dije se në momentin që kanë nisur të shtënat me armë zjarri, viktima dhe 23-vjeçari, Ardit Uruçi, që mbeti i plagosur, kanë qenë bashkë në një makinë.

Ata janë qëlluar nga një automjet në lëvizje, duke lënë të vdekur Zylyfin dhe të plagosur rëndë të riun tjetër. Sipas informacioneve, Andi Zylyfi ka marrë plumb në kokë. Viktima nuk njihej si njeri problematik në zonë, ndërkohë që jetonte prej kohësh jashtë vendit dhe sapo ishte kthyer nga emigracioni.

Bëhet e ditur se në aksin Peqin-Elbasan, ku ndodhi atentati, vitin e kaluar në të njëjtin vend është organizuar atentat edhe ndaj djalit të hallës së viktimës së sotme.

Burimet bëjnë me dije se Andi Zylyfi është kushuriri i parë(djali i hallës) së Endrit Alibej. Ky i fundit mbeti i vrarë në një atentat me armë rreth një vit më parë. Në këtë atentat u vra edhe Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk i quajtur Erdal Duranay, raporton Faxëeb.al.

Endrit Alibej, 34 vjeç, një nga tre personat e ekzekutuar në Elbasan mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2018, rezultont i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge. Endrit Alibeaj (Dylgjeri) mendohet se ka qenë shenjestra e atentatit vitin e kaluar ku mbëtën të vdekur tre persona.

Ngjarja që i mori jetën të riut Andi Zylyfi dyshohet për larjes hesapesh midis fiseve, megjithëse 23 vjeçari nuk ka precedentë penalë të mëparshëm.

Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe policia. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, ajo njoftoi se janë nisur disa pika kontrolli për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.