Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë sot vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili është edhe kandidat për Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK).
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, z. Anton Martini, me detyrë, prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda përcaktuar në datë 12.12.2019, ora 10:00, për shkaqe të arsyeshme nuk do të zhvillohet”, thuhet ne njoftimin e KPK-se.
Martini ishte hetuar në të tria kriteret, ndërsa probleme u konstatuan vetëm në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, KPK-ja nuk relatoi probleme në seancë.
Sa i takon pasurisë, Martini u përball me dyshime mbi dhuratat e vëllezërve të tij dhe pagimin e kësteve për blerjen e një apartamenti.
Sipas Komisionit, në kredinë e përfituar me kushte lehtësuese në vitin 2006, ishte tërhequr para njërës prej pagesave vetëm shuma prej 27 mijë euro, ndërsa 10 mijë euro ishin tërhequr disa ditë më vonë.
Relatoja tha se duke qenë se kësti i parë ishte paguar më 7 prill 2015 pa u tërhequr e gjithë shuma që ndodhej në bankë, ngriheshin dyshime se subjekti kishte mungesë të ardhurash.
Më tej, relatorja e çështjes tha se KPK-ja kishte kryer një analizë financiare, nga e cila kishte rezultuar se prokurori kishte mungesë të burimeve të ligjshme për disa vite, për të krijuar kursimet në shumën 800 mijë lekë.
Komisioni tha se i ishin kërkuar po ashtu shpjegime për të ardhurat e dy vëllezërve, njëri prej të cilëve kishte paguar për disa vite shkollimin e djalit të Martinit në një shkollë private.