gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno ka zbardhur edhe fjalën e Martinit para trupës gjykuese.
“Jam transferuar ne Shkodër me një vendim të paligjshëm. Nga gjithë puna ime kam vetëm një shtëpi dhe një garazh, që ende se kam marrë me letra. E kam marrë shtëpinë me dy kredi, pasi nuk doja te bëhesha i pasur por të blija një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë. Unë jam një prokuror që kam marrë shume kërcënime dhe sot e kësaj dite jam në ruajtje nga policia. Ju kam dorëzuar vendimet e ruajtjes. Me qira kam qëndruar pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, vetëm për faktin që të kem garanci për sigurinë dhe familjen time.” mësohet të ketë thënë Martini.
Ndër të tjera Anton Martini ka deklaruar se është përballur me njerëz tepër të rrezikshëm por përsëri nuk është tërhequr nga detyra e tij. Martini ka shtuar se në vitin 2007 familja e tij ishte kërcënuar dhe pikërisht për këto detyra të rënda që ka marrë përsipër dhe vendosmërinë e tij, Martini ka kërkuar konfirmimin në detyrë.
“Jam përballur me çështje shumë të rëndësishme dhe me individë më tepër rrezikshmëri në shoqëri. Nuk kam fshehur pasuri,jam krenar që kam këtë pasuri dhe jam i lumtur që kam vetëm një shtëpi të cilën e kam me dy kredi. Nuk kisha burim tjetër financiar për të blerë një shtëpi që të fusja familjen. Individë të rrezikshëm kanë kërcënuar në 2007 familjen time dhe fëmijët. Shtëpia ime është marrë në një zone duke u konsultuar edhe me eksperte të policisë të cilët kishin marrë nën ruajtje familjen. E vlerësoj shumë punën tuaj, ju lutem kërkoj nga ana juaj konfirmimin në detyre dhe të më jepni mundësine të vazhdoj detyrën e prokurorit” ka deklarua ndër të tjera Martini para trupës gjykuese.
Procesi i vetingut për Martinin u kryhee nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja. Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.
Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.