Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Isha në fshatin Manati, Lezhë. Ishte mëngjes po lahesha tek kroi i fshatit, si doli ai trup i gjatë, me kostum gri, i shëndetshëm !! Nga doli? Nga mbiu? Ku kishte qenë?
Ai më kishte ruajtur, kishte kontrolluar lëvizjet e mia, dinte çdo lëvizje dhe më tha:
Në orën të ndodhesh në Degën e Punëve të Brendshme në Lezhë!
Nuk tha gjë tjetër, vetëm këtë dhe u largua ashtu siç mbiu. Po kjo ishte më e madhja gjëmë për mua, s’kishte nevojë të thoshte më shumë. E dija ç’ishte sigurimi i shtetit shqiptarë. Që fëmijë kisha përjetuar ankthin e pritjeve për babain, a po na kthehej i dashuri baba nga DPB të Kavajës ? Atje na e merrnin çdo natë. Ne familja e tij, mamaja, motrat dhe vëllai i vogël rrinim në pritje, çdo natë dhe e lironin në mëngjes, jo, jo herët.
Ne fëmijët shkonim në shkollë, shkonim të mësonim, por mendja nuk ishte te mësimi, por tek babai:
– A thua erdhi në shtëpi? A u kthye tek ne? Apo e mbajtën përgjithmonë?
Kur ktheheshim nga shkolla, shihnim babain të shtirë në shtrat, me dorën në zemër, ishte i sëmurë. Ecnim në majë të gishtërinjve, qetësoheshim. Erdhi i shtrenjti baba, i miri i ynë, zemra jonë, njeriu që na jepte jetë, dije, na mësonte çdo natë mësim feje, historinë e vërtetë, na tregonte përralla. Po na ndihmonte të rriteshim, të lartësoheshim.
Por vinte nata, me natën na e merrnin edhe babain.
Ishin vite të zorshme, vitet 1949-50-51, vite tmerri.
Më doli parasysh figura madhështore e babait tim-Haki. Shikimi i tij, ato sytë e tij të zinj, si ullinj të zinj, sy që flisnin pa folur, sy që të fusnin në mendime, në thellësi. Ah! Sytë e bukur të babait tim, si ulliri i zi. Ah, ulliri që përfaqëson jetën mijëvjeçare, më e para, më e çmuara nga të gjithë pemët, që të ushqen trupin dhe mendjen, por të ndihmon për të kuptuar që jeta ka shumë vlerë.
Ai i qëndron stuhive, rrebesheve dhe ngricave, me kryet gjithnjë lart dhe me gjelbërimin e thellë, si rënia e gjetheve të tij pakuptuar, që mbetet e blertë në përjetësi, shton rrënjët, shton degët, zgavrat, sikur të duan të thonë se në këtë botë nuk mjaftojnë vetëm dy sy të kuptosh të vërtetën, mbase duhen më shumë, si shumica e ullinjve shekullorë. Sa breza kalojnë pranë tij, e ai qëndron e qëndron.
E keni parë flakën kur digjet druri i ullirit? Është një flakë e papërshkruar, mahnitëse, një flakë me një të kuqërremtë vezulluese, flakë flakëritëse, prushi i copave të drurit të djegur ka një vezullim të kuq, përgjakës, të vjen keq që digjet, që e kanë prerë, nuk duhej të vihej sëpata mbi të, se është drurë i bekuar, i paprekshëm, është mëkat t’a presësh, t’a dëmtosh, është mallkim. Lum kush e vlerëson. I tillë ishte babai i im, na shihte me dashuri, na dhuronte shumë përkëdhelje, shumë ngrohtësi dhe na ndihmoi të rriteshim, të njihnim vlerat që po mohoheshin.
Babai i im, që e kisha në zemër, pranë vetes, kishte nëntë vjet që më kishte vdekur, por ai s’u nda asnjë çast nga unë, kudo që shkova, kudo që punova, në çdo çast të vështirë të jetës sime, Atë-Babain tim e pata pranë vetes, kudo që shkova Ai ishte me mua. Ishte pjesë e pandarë e jetës sime.
Më kishte mësuar babai që të mendoja shumë, por edhe të lutesha me mend
– S’keni nevojë të luteni me zë, e thoni me mend dhe lutja ka vlerë – na thoshte.
Zemra e ime, mendja e ime ç’po provoja? Ishte viti 1967.
– Pse mua? Pse më zgjodhën mua?
– Ç’panë ato tek unë, që mund të mendonin se do të bashkohesha me ta??
– A thua u kisha lanë me kuptue se jam e tillë? Se mund të bëhem spiune?
Çfarë lufte shpirtërore brenda vetes. Analizoja qëndrimin tim, çdo gjë e sillja ndër mend, por unë nuk kisha lënë shteg për gjë, kontrollin e vetvetes, murin tim që më ndante nga kolegët, nga njerëzit.
Në ato momente vuajtjeje bisedova vetëm me kolegun e moshuar, Profesorin e nderuar Nush Radovanin, që në moshën 20 vjeçare kishte bërë burg politik dhe kishte qenë bashkë me babain tim në burgun e Tiranës. Ishte njeriu i punës, njeriu i ditur, i gjuhëve të huaja, punëtori i palodhur, eruditi.
I tregova ngadalë për gjëmën time.
– Profesor ç’më ka gjetur, është turp të më shohin duke hyrë atje, në atë ndërtesë famëkeqe.
Por i miri Profesor Nushi më tha:
– Ti je një vajzë trime, je e fortë, e formuar, je vajzë e të nderuarit Z. Haki Mulleti. Qëndro e fortë ashtu siç je!
Shkova në Lezhë, më shoqëroi kolegia e ime shkodrane, e mira Fahrije Hafizi
I thashë:
– Fahrije më prit te dera e Gjimnazit të Lezhës. Po dola mirë, po s’dola dije se jam aty brenda.
Në atë dhomë me dritare me hekura, por të lidhura dhe me tela me gjemba, në tryezën e punës qëndronte kryetari i DPB të Lezhës, një burrë trup vogël, i hajthëm, me një fytyrë pak të gjatë, i rrethuar nga gjashtë sigurimsa shtatlartë, të shëndetshëm, faqet e tyre të kuqe tregonin që ushqeheshin mirë.
Më morën në pyetje
Foli kryetari. Më përmendi familjen time, se si Partia më kishte dhënë dorën, më kishte pranuar në arsim. Kishin nevojë për informacion, çfarë bëhej, çdo gjë që dëgjohej. Ata, të tjerët vetëm më vëzhgonin, më studionin, shikimi i tyre mundohej të më ç’armatoste, të më ligështonte. Në ato momente qëndroja si e ngrirë dhe m’u kujtua i shkreti baba, atëherë me mendjen time po i lutesha Zotit të më mbronte në këtë çast të vështirë dhe i lutesha të madhit Zot, vetëm vëllain e vetëm, Tanushin, të mos m’a sillnin këtu (në atë periudhë vëllai ishte ushtar në Rep. e Punës në Shishtavec-Kukës).
Qëndrova e fortë, nuk pranova bashkëpunimin edhe pse më kërcënuan, shikimet e rrepta i përballova pa i ulur qepallat.
Mbas disa orësh më liruan. Dola. Ishte errësirë, tek dera e Gjimnazit po më priste e mira Fahrije. U nisëm, ecëm nëpër natë, që ishte e errët, e frikshme si vetë jeta ime.
Gjatë natës nuk më zuri gjumi, dridhesha.
Në shkollë nuk duhej të kuptonte njeri se isha thirur në DPB.
Më thirrën disa herë, u trondita shumë e shumë, por qëndrova. Nuk pranova të bashkëpunoja me sigurimin e shtetit.
Përgjigjja e ime ishte:
– Unë nuk bisedoj me njerëz, s’më del koha, kam punën dhe studimet, nuk kanë ç’të më thonë kolegët apo njerëzit e tjerë. Nuk pranoj.
Në fund më detyruan, kuptohet Kryetari i DPB të Lezhës të lëshoja një deklaratë, që m’a diktoi ai: “Unë e nënshkruara Fatbardha Mulleti nuk pranoj të bashkëpunoj me sigurimin e shtetit Shqiptar, në rast se i tregoi ndonjë njeriu më kap neni 55, që është neni i agjitacion e propagandës”.
E firmosa. Dola nga ajo zyrë famëkeqe. Ika e ika, eca e eca në drejtim të fshatit Manati. Ecja e vetme dhe meditoja.
U lirova shpirtërisht, triumfova mbi veten, u tregova vajzë e fortë, të paktën s’do i bëja keq askujt, s’do shkatërroja jetën e ndonjë të pafajshmi, por e dija që kisha firmosur për shkatërrimin e jetës teme, unë do të prisja çdo ditë lajme jo të mira, largim nga fshati ku punoja, më larguan nga drejtimi i punës metodike shkencore të lëndëve Biologji-Kimi, prisja dhe largimin nga puna, por më e rënda ishte që iu largova më shumë njerëzve, largova nga vetja çdo afrim, iu largova njerëzve që çmoja si pa kuptuar, pa i vrarë, pa i shkaktuar dhembje. Çdo gjë e mbaja brenda vetes.
Miqtë e mi kolegë, Nush Radovani e Muhamet Kastrati, që e dinin situatën time më qëndruan pranë, por nuk e bisedonin me njeri. Ndërsa shoqja ime e ngushtë, e mira Fahrije Hafizi, mësuesja e talentuar e klasës së parë, e ëmbla , e dashura mike, u tërhoq, s’më foli më, s’më ndalonte dhe unë s’iu afrova. I mbeta për të gjithë jetën, përherë mirënjohëse për shoqërimin që më bëri në atë natë të parë të vështirë, të natës së jetës sime