Letërsi, përralla, klasikë të huaj e shqiptarë të cilët nuk e kërcënojnë jetën e së drejtës së autorit e kanë lejuar Violetën të ndërtojë këtë komunikim me lexuesin, që i përkasin të gjithë grupmoshave. Por më tepër, mësuesja e fizikës ngul këmbë që ka ndihmuar ata në nevojë, si të moshuarit, të verbërit por për befasinë e saj, të rinjtë tani janë më dominantët në shkarkimet online të librave audio
Violeta Volumi, mësuse fizike për vite, dhe me një përvojë drejtuese në shkollat e mesme të Shkodrës, tani në pension, ndërton një “perandori” leximi në shqip në audio. Kur trendet flasin për të rinj high –tech që çojnë jetën para kompjuterëve, Violeta i jep një dorë këtij ndryshimi të epokës digitale, duke hyrë me një projekt të guximshëm, të leximeve audio, pa para. Letërsi, përralla, klasikë të huaj e shqiptarë të cilët nuk e “kërënojnë” jetën e së drejtës së autorit e kanë lejuar Violetën të ndërtojë këtë komunikim me lexuesin, që i përkasin të gjithë grupmoshave. Por më tepër, mësuesja e fizikës ngul këmbë që ka ndihmuar ata në nevojë, si të moshuarit, të verbërit por për befasinë e saj, të rinjtë tani janë me dominantët në shkarkimet online të librave audio. Ajo ka ndërtuar deri tani një arkiv me 36 libra në versionin audio, të cilat i ofron pa pagesë për të gjithë lexuesit.
Kur kam qenë keq një periudhë, kjo ishte dëshira që dikush të më lexonte. Më vinte keq që në atë kohë shfrytëzoja audiokasetat. Me veten thoja gjithnjë që, kur të mundem do ta bëj këtë gjë dhe ja ku erdhi koha. Vendosa që ta bëj me të gjitha mundësitë që kam, të bëhem një dado e njerëzve në momente jo vetëm të vështira, por edhe të mira”, tha Violeta Volumi.
Librat gjenden lehtësisht “online” dhe shkarkohen pa pagesë, ndërsa vetë Violeta mirëpret të tjerë vullnetarë çdo ditë në stendat e Panairit të Librit, që t’i bashkohen nismës së saj.
Jeni për një qëllim në panairin e librit për një ide të re leximi, që ka guximin unik për ta realizuar. Mund të na thoni për çfarë bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për një libër -audio . Vitin e kaluar kur Vodafon lançoi librin elektronik e-book unë ato ditë sapo kisha filluar ta ideoja. U gëzova shumë që dikush, që ka shumë fuqi, i ofron publikut falas librin, që është nga pasuritë më të mëdha të njeriut në jetë, me të cilin shoqërohet nga fëmijëria deri në pleqëri. Rrjedhimisht, në këto ditë, të të ofrojë dikush një produkt falas është një gjë shumë e madhe. Për këtë ide unë pashë disa site të ndryshme në botë, u mundova të ideoj si do të ishte një site shqiptar, meqë s’kishte asnjë me audio libra. Pasi u regjistrova fillimisht në një site libri- vox të huaj, atëhere thashë pse mos ta nis punën për ta realizuar. Me ndihmë nga të gjitha drejtimet, me nipa e mbesa, me familjarë dikush më sugjeroi ëebsite apo dikush tjetër lexuesin. Dhe kështu në mënyrë vullnetare e filluam këtë punë. Tani, ja pas një viti janë 36 libra disa romane, novela, poezi, tregime të shkurtra, poema…që ndiqen audio.
Përzgjedhja e librave është bërë nga ju personalisht, mbi ç’kritere?
Po përzgjedhjen e librave e kam bërë vete, duke menduar se kjo duhet t’iu ofrohet të gjitha kategorive, për të përfituar prej këtij projekti, nisur nga fëmijët dhe mamatë e tyre, njerëzit që kanë probleme shëndeti, dhe pleqve që nuk e kanë mundësinë ekonomike të blejnë librin apo për ata që kanë nisur të humbasin pak shikimin, të verbërve, pra bëhet fjalë për një kategori që kanë nevojën më të madhe për t’u mbështetur moralisht, më shumë se kushdo.
Ti je mësuese, në cilën zonë, dhe pse kjo lidhje me letërsinë?
Unë kam qenë mësuese fizike, por edhe drejtuese shkolle për shumë vite. Por letërsia ka qenë bashkudhëtarja ime. Unë kam qenë mësuee në Shkodër, brenda qytetit, duke kaluar edhe në përvoja drejtuese në disa gjimnaze.
Thoni se ishte punë njëvjeçare në përgatitjen e kolanës audio, që përfshin disa kategori dhe grupmosha të cilët kanë më së shumti nevoja. A ka pasur interes, të interesuar për këtë mënyrë kontakti me librin, letërsinë?
Fillimisht ishte problem si se mund t’ia bënim të njohur njerëzve që kjo mundësi ekziston. Kështu që nisa me gjëra më të thjeshta me facebook, me miq e mikesha. Më pas u bë një promovim modest në Shkodër edhe falë një medie që publikoi diçka, nisi të njihej dalngadalë. Aktualisht ka arritur në 70 mijë numri i klikimeve në faqe, ndërsa të regjistruar në wëebsite kanë shkuar në 400 persona, të cilët bëjnë edhe shkarkime të librave. Ndërsa të tjerët mund ta dëgjojnë online.
Cilët kanë qenë grupmoshat që ka tërhequr më shumë, çfarë fenomeni është vërejtur prej jush në këtë komunikim audio?
Fillimisht më kanë bërë përshtypje se grupmoshat që dominonin më shumë ishin mbi 65 vjeç, ndërsa në një kontroll të javës së kaluar është zhvendosur grupmosha.Tani grupmosha që po e ndjek shkon nga 15-25 vjeç. Si gjini më rezulton që numri i meshkujve është pak më i madh se numri i lexueseve femra. Ndërsa si kombësi rreth 70% janë në Shqipëri, dhe pjesa tjetër janë jashtë, Maqedoni, Kosovë, Itali Greqi, Amerikë, Londër dhe Francë. Janë shqiptarë që mesa duket e ndjekin.
Thoni se ofroni falas këtë lloj shërbimi, atëhere cili është përfitimi juaj në këtë “biznes” leximi, dhe kostoja për ju?
Përfitimi është vetëm moral. Ndihesh mirë kur dikush të merr në telefon, apo merr një mesazh që të thotë faleminderit, ose kur të thonë se po presin për librin e radhës, ose kur të kërkojnë për të vënë edhe disa përralla të tjera. Ky është shpërblimi më i madh. Për hir të së vërtetës, ka grupmosha që vijnë e më thonë se do të ishin gati të paguanin nëse do të vija edhe gjëra më moderne. Ndoshta një ditë kjo edhe mund të ndodhë, pasi e kërkon nevoja. Kostoja për këtë punë është vetëm pagesa e ëeb-it.
Në veçanti, për cilën lloj letërsie janë më tepër të interesuar, të huaj apo atë shqipe? Me të drejtën e autorit si ia bëni?
Meqënëse faqja është e lirë, në të gjithë botën, këto bazohen në letërsinë klasike në mënyrë që të mos kemi probleme me të drejtën e autorit, meqenëse nuk ka hyrje, të ardhura atëherë nuk mund të paguash të drejtën e autorit që është gjallë. Në këtë kuadër je i detyruar të përdorësh ata autorë të cilët nuk na lejojnë përdorimin e lirë, duke pasur parasysh se këtu e drejta shkon në 70 vite pas vdekjes. Ne, këto kemi shfrytëzuar si material, pra letërsi klasike të cilët nuk janë të “mbrojtur” nga e drejta, pasi kanë kaluar 70 vite nga vdekja e autorit. Dhe kriteri i dytë është mos të kem probleme me shtëpitë botuese. Për këtë kam shfrytëzuar shtëpinë botuese “Naim Frashëri” të dikurshmen, Shtypshkronjën e Re, të dikurshme.
Po shtëpitë botuese a janë ofruar për mbështetje, janë në dijeni të këtij projekti?
Po, disa e dijnë. Prezantimin e parë e kam bërë me shtëpinë botuese Dituria, të cilëve u kam kërkuar si mund të zgjidhet ana legale e këtij problemi. Shtëpia e vetme botuese që më është ofruar dhe kam nisur punën është shtypshkronja “Çabej”.
Vepra e fundit që kam vënë është Fausti i Gëtes, në variantin e përkthimit nga Pashko Gjeçi që është edhe shkodran. Sa i takon llojit të letërsisë që dominon nga përdoruesit audio, predominon ajo e huaj për dy arsye: e para, problem i grup moshave, për të cilët nuk mund të vë autorë nën 70 vjet që janë ndarë nga jeta, kështu që rrjedhimisht kam vënë Migjenin, Lahutën e Malsisë, jam duke punuar me pjesën tjetër, por meqë janë kryesisht në vargje duan edhe interpretues më shumë se sa thjesht lexues. Libri është mirë të lexohet në mënyrë të natyrshme, ndërsa kur bëhet fjalë për poezi duhet transmetuar gjithçka, ndaj kërkon më shumë profesionalizëm.
Bisedoi: V.Murati