Kuvendi zgjodhi sot me 101 vota pro Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm. Në vend të Arta Markut do të ulet prokurori Olsian Çela, i cili me t’u votuar, bëri betimin në foltoren e Kuvendit, duke marrë zyrtarisht detyrën.
Olsian Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i çoi Kuvendit, pasi u mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit.
Po cili është profili i Olsian Çelës?
I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.
Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.
Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.