Brandi është heroi me 4 putra i Policisë së Shtetit, të cilin qytetarët e panë përmes ekraneve që transmetonin live nga vendngjarja, ku kërkonte për persona të mbetur nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, goditur nga tërmeti.

Pasditen e 26 nëntorit, teksa u ndërprenë punimet me mjetet rënda dhe u fikën mjetet që punonin nën rrënoja, u përgatit dhe u fut në kërkim qeni policor.

Pas kërkimit në pjesën perëndimore të banesës, ku nuk pati asnjë shenjë, u kalua në pjesën jugore të objektit. Brandi u fut në një tunel, rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi.

Ky nuk ishte misioni i parë i Brandit, pasi ai është përdorur për kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja edhe në shërbime të tjera më herët në Shkodër e Tiranë.