Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vijon të japë prononcime në lidhje me pallatin 12 katësh në qytetin e Lezhës për të cilët banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre se mund të përbëjë rrezik për ta.
Pas ekspertizës nga profesionistët, Lleshaj bën me dije se sikurse ka deklaruar, pallati nuk përbën problem dhe se banorët duhet të rikthehen nëpër shtëpitë e tyre. Ndërsa e ka vënë theksin se e gjithë zhurma sipas tij e ngritur është një “shumë zhurmë, për asgjë”.
“Problemet janë gjetiu, janë në Laç, janë në Durrës, janë në Thumanë e të tjera. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, sepse nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe asgjë për t’u shqetësuar”, shprehet Lleshaj.
Lleshaj ka replikuar edhe me disa banorë mes tyre ish-deputeten Lindita Metaliaj të cilët kishin rezerva për mënyrën se si kanë punuar ekspertët ndërsa kanë kërkuar çertifikim me vulë nga ana e këtyre të fundit nëse apartamentet e tyre janë të banueshme.
Metaliaj: A mund të na japësh një vendim me vulë, me çertifikim ekspertësh që duhet të futemi brenda?
Lleshaj: Me vulë nuk e merrni as sot e 100 vjet
Metaliaj: Ju nuk e çertifikoni dot, ju nuk jeni ekspertë. Jam Lindita Metaliaj banjo këtu dhe duhet ti tregoni falje popullit të Lezhës për sjelljen që treguat dje. Turp të keni për arrogancën
Lezhë – Prononcim i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:
Kam ardhur për të parë edhe njëherë shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij pallati.
Po ta shkurtoja gjithë përkufizimin e kësaj situate, kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë. Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, – pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij.
E gjithë zhurma e ngritur është një “shumë zhurmë, për asgjë”, e me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë banorët e pallatit që të kthehen në shtëpitë e tyre, t’i kthehen jetës normale dhe të na lënë mundësi të merremi me problemet e shumta që ka në vendet e tjera. Problemet nuk janë në këtë pallat. Probleme ka shumë, tërmeti ka krijuar shumë probleme, por jo këtu.
Problemet janë gjetiu, janë në Laç, janë në Durrës, janë në Thumanë e të tjera. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, sepse nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe asgjë për t’u shqetësuar.
Nuk ka asnjë problem me sigurinë e këtij pallati të çertifikuar dy herë brenda 24 orëve, dhe banorët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Dhe ju lutem të gjithë atyre që po e përdorin këtë kohë për të bërë zhurmë, të mos bëjnë zhurmë kot.
Ata që kanë mundësi për të ndihmuar, le të bashkohen me forcat që po ndihmojnë, ashtu siç kanë ardhur njerëz e ekspertë nga gjithë bota, për të na ndihmuar, lus të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë,- të ndihmojnë, – dhe lus të gjithë ata që nuk kanë ndërmend të ndihmojnë, – të paktën të heshtin dhe të mos përhapin, as panik, as të mos ngatërrojnë. Kjo është ajo që kërkohet. Ose të ndihmojnë, ose të tërhiqen dhe të mos ngatërrojnë njerëzit.
Vëllezër e motra, të gjithëve ju ftoj edhe njëherë: – kthehuni në shtëpitë tuaja, pallati është i qendrueshëm, i konfirmuar dy herë, nga dy palë ekspertësh, shqiptarë dhe izraelitë! Ju ftoj të ktheheni në shtëpitë tuaja dhe mbyllni veshët për çdo njeri që përhap lajme të pavërteta dhe të pasakta. Ju faleminderit