Forca xheniere ishin përgatitur gjatë gjithë paradites për të hedhur në erë dy godina të dëmtuara nga tërmeti në Shkozet të Durrësit.

Pak më parë ishte llogaritur që të hidheshin në erë, por ndërkohë që gjithçka ka shkuar sipas planit për njërën godinë duke u rrëzuar në tokë, tjetra ka mbetur në këmbë.

Gazetarja e “Abc News“, Glidona Daci raporton se nga të dhënat paraprake dyshohet se për vilën pesë katëshe nuk ka funksionuar linja përcjellëse e nga xhenierët për tek lënda plasëse.

“Ishte planifikuar shembja e të dyja godinave, por ndërkohë që njëra ra në tokë, tjetra nuk u shemb. Dyshohet se shkak për mos funksionimin e shpërthimit të kontrolluar ka qenë mos funksionimi i linjës përcjellëse”, raporton gazetarja.

IKMT ka filuar prishjen e godinave problematike, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit me qëllim shmangien e rrezikut për banorët.

Gjatë dy ditëve të fundit janë prishur disa hotele në zonën e plazhit të Durrësit. /abcnews.al