Të gjithë e dimë që sezoni i festave është periudhë pak stresuese për çiftet. Nëse gjërat prej disa kohësh s’kanë shkuar mirë mes jush, është pikërisht sezoni ku përballeni me dilemën më të madhe: Të ndaheni para festave apo të prisni sa të kalojë dhe Viti i Ri?

Të ndahesh me dikë gjatë këtyre ditëve plot drita nuk është edhe aq qejf. Eshtë njësoj si t’i lësh ditën e ditëlindjes, por më mirë lexoni ç’tregojnë njerëzit që e bënë këtë.

1. “Vjet shkova në Izrael dhe u ktheva në shtëpi për Krishtlindje. Ditën tjetër u ndava nga i dashuri prej 5 vitesh. Po e harxhoja kohën time për potencialin e dikujt tjetër në vend që t’i bëja me dije se kush ishte. Ishte perfekt në mënyrën e tij, por s’ishte për mua. Koha është shumë e çmuar për ta çuar dëm për ndjenja faji apo kujtime të prishura. Nuk ka rëndësi çfarë dite është, ndarjet janë gjithsesi të vështira. Po pse të shpenzosh edhe 5 ditë, muaj apo vite me dikë apo diçka që thjesht s’funksionon?!” – Taylor, 32

2.  “Po ndihesha e pasigurtë për të dashurin. Kishim thuajse një vit bashkë. E doja, por s’e besoj që isha e dashuruar me të. Kur u fejua motra në ditëlindjen e saj (pak ditë para Krishtlindjeve) diçka ndryshoi tek unë dhe kuptova që s’e shihja veten të martuar me të. Njëherë thashë të pres derisa të mbarojnë ditët e festave, por në fakt doja që vitin e ri ta nisja komplet të ri. Ashtu bëra. Folëm dhe ai më tha që ndihej njësoj si unë. Sot jemi miq të mirë.” – Sammy, 31

3. “Kisha 4 vite e lidhur dhe zakonisht një pjesë të pushimeve e kalonim tek familja e tij, kurse pjesën tjetër tek e imja. Atë vit familje e tij s’mund të vinte dhe unë i thashë ta kalojmë të gjithë javën tek familja ime. Sa më shumë afrohej java, aq më tepër në ankth ndihesha.  Kuptova që kisha kohë që doja të ndaheshim, të paktën për disa kohë, por s’e kisha bërë për inerci. Koha që kalonim bashkë, por të vetmuar më bënte t’i kundërshtoja këto ndjesi.

Një javë përpara Krishtlindjeve, kuptova që t’i kalonim pushimet bashkë thjeshtë për arsyet më sipër, ishte më keq se ndarja, kështu që planet ndryshuan. U ndamë dhe ai preu një biletë për të shkuar me familjen e tij. Fillimisht u ndjeva si njeriu më i keq në botë që e bëra këtë në prag festash, por ishte lezetshëm që secili nga ne ndodhej me familjen e tij ndërkohë që përballeshim me ndarjen. M’u duk alternativë më e mirë sesa të shtiresha dhe të pretendoja se isha e lumtur.”- Allie, 25

4. Unë kam lindur prag vitit të ri, kështu që ditëlindjen e kam me 31 dhjetor. Do të hyja në vitin tim të 25-të prandaj nisa të bëja në mendje një panoramë se si do të dukej viti i ardhshëm. Atë kohë isha me dikë prej 2 vitesh, por marrëdhënia nuk po shkonte gjëkundi. Vendosa të ndahem me të 1 javë para Krishtlindjeve. Ndjesia e parë ishte pendesa, por s’hoqa dorë nga vendimi im. Vigjiljen e Krishtlindjeve u takova me dashurinë time të vjetër. Këtë verë, u fejova me të!”- Carly, 27

5. “Prej disa muajsh po dilja me një djalë, me të cilin po mendoja të kisha diçka serioze. Por, ndjeja se sa më shumë afroheshin festat, aq më tepër bindesha që ky njeri s’ishte për mua. Ishte i papjekur emocionalisht. Fillimisht mendova të pres deri pas Vitit të Ri,kështu të paktën do të puthja dikë në mesnatë (tani që e them më duket e papjekur nga ana ime). Ai vetëm anullonte plane dhe justifikohej pse s’mund të ishte pranë meje. Në vend që të duroja një zhgënjim të radhës, vendosa ta lë për fare. Kuptova që meritoj më shumë dhe nuk doja ta harxhoja puthjen time të Vitit të Ri me dikë që s’më meritonte gjithsesi!” -Taniya, 28

Burimi: Bustle