E ndërsa të gjithë rreken të marrin mendimin e saj, ta pyesin, asnjë institucion shtetëror nuk i ka rënë telefonit të Luljeta Bozos, inxhinieres së vetme që po përballet me median dhe që tashmë duket si një zbulim.
Gazetarja Blerina Gjoka nga Mapo, ka shkuar në shtëpinë e inxhinieres, nënës së regjizorit Petri Bozo, dhe tregon se është një shtëpi e thjeshtë, njëkatëshe, me mobilje të vjetëra. Por ajo që I ka mbetur në mendje inxhinieres është pushimi nga puna si pedagoge në Universitet në 2010. Ndërkohë që as sot, nuk I ka rënë telefoni nga ndonjë institucion shtetëror për të kërkuar ekspertizë
Pjesë nga shkrimi i Blerina Gjoka për MAPO:
Po nuk ështe hera e parë që ajo e ka përjetuar këtë neglizhencë. Ajo më e dhimbshmja ka qenë largimi nga puna në vitin 2010 nga fakulteti ku kishte kaluar 45 vitet e jetës së saj dhe kishte dhënë një kontribut të pamatshëm. “Unë e njoftova vetë dekanin se me datë 2 tetor mbush moshën e pensionit sipas ligjit, por shpreha dëshirën që të vijoja të jepja mësim, të paktën edhe një vit në programin e doktoraturës së gjeoteknikës, pasi e kisha krijuar vetë gjithë programin. Unë prisja një përgjigje dhe më 4 tetor shikoj sekretaren e dekanit që ishte shumë e shqetësuar. Ajo më tha kam një shkresë për ty, por më vjen turp të ta jap, me gjithë këtë eksperiencë e kontribut që ke dhënë ti këtu duhet të ta japë rektori ose dekani. Ma jep ta lexoj i thashë ska rëndësi. Aty shkruhej ; me 2 tetor mbushni 68 vjeç, në 4 tetor ndërprisni marrëdhënien financiare për efekt pension pleqërie. Më ra tavani në kokë. As një pastrueseje nuk i thuhet kështu. Mbledh kolektivin e vogël, një tufë me lule dhe thua na detyron ligji, megjithatë nëse ti nëse vazhdo të japësh mësim”.