Një grabitje ka ndodhur mesditën e sotme, ku disa grabitës kanë ndaluar një makinë ‘Security’, e cila përdoret për transportin e parave.
Pasi kanë nxjerrë jashtë dy punonjësit e sigurisë, grabitësit kanë marrë furgonin dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se grabitësit janë larguar në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, ku pas një qendre tregtare kanë ndaluar dhe kanë kontrolluar furgonin e vjedhur. Pas kontrollit që kanë bërë, grabitësit kanë kuptuar se brenda tij nuk ka pasur para dhe kanë vendosur që ta braktisin
Tanimë furgoni ndodhet në zonën e Kasharit, ku edhe po kontrollohet nga grupi hetimor për shenja të grabitësve. Ndërsa Policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:40, në afërsi të Qafë Kasharit, persona të paidentifikuar kanë marrë me forcë një automjet në pronësi të një firme private Security dhe me pas automjetin e kanë braktisur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet dhe krehjen e zonēn ku u gjet mjeti i braktisur me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për administrimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes
(k.m/dosja.al)