Dy ekipe nga Prokuroria e Durrësit do të nisin hetimet për objektet e rrënuar nga tërmeti. Hetimet do të bëhen për objektet që kanë shkaktuat viktima dhe një tjetër për 200 objekte që kanë pësuar dëme, por nuk kanë shkaktuar viktima.
200 dosje te objekteve të shpallura te pabanueshme në Durrës do t’i nënshtrohen hetimit të Prokurorisë dhe Task Forcës ngritur për përgjegjësitë njerëzore pas tërmetit. Report Tv ka kontaktuar me drejtuesen e Prokurorisë Durrës Anita Jella të cilës po ashtu i është shembur apartamenti 2+1 në një prej ndërtimeve pas vitit 2000.
Jella konfirmoi nisjen e këtij hetimi, ndërsa sipas grupit hetimor polici-prokurori mësohet se është urdhëruar sekuestro e dosjeve me lejet e ndërtimi, raporti i institutit sizmiologjik për këto ndërtime, raporti i kolaudimit nëse është respektuar apo jo leja e dhënë dhe parametrat teknikë për konstruksionin metalik dhe betonin.
Ndërsa një tjetër hetim po kryhet në 6 objektet te cilat shkaktuan viktima mes tyre hotele, shtëpi private. Ky hetim pritet të zbardhë nëse zonat në të cilat janë kryer ndërtimet kanë pasur apo jo dhe miratimin e Institutit të Sizmiologjisë i cili është një ndër kushtet kryesore për t’u pajisur me leje ndërtimi. Në një prej hoteleve ku u shkaktuan viktima si ai Tropikal në Durrës rezulton se ka pasur dy kate shtesë ndërsa një hetim i mëparshëm për ndërtim pa leje nuk dha asnjëherë rezultat.
Procedim penal ka regjistruar edhe Prokuroria e Krujës për pallatet e Thumanës që shkaktuan viktima por nga tërmeti i 21 shtatorit ishin shpallur të pabanueshme.