Tragjedia që ndodhi pas tërmetit të së martës, po na tregon dita ditës brishtësinë alarmante të shtetit që kemi, jo vetëm për t’u përballur me situatat e emeregjencës, por edhe për të ngjallur besim dhe siguri tek qytetarët.

Në këto ditë të vështira, shqiptarët duket se më shumë i besojnë një imami që predikon online, sesa shtetit dhe qeverisë. Kjo ka detyruar kryeministrin Edi Rama, që të përfshijë në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, figura të tilla si Elvis Naçi, apo edhe të tjerë personazhe publikë laikë, me ndikim tek qytetarët, si Marin Mema.

Aq i madh është popullariteti i Naçit dhe Memës, sa një pjesë të madhe të ndihmave qytetarët ua kanë besuar pikërisht atyre. Që prej të martës, fondacionet e tyre kanë arritur të mbledhin mbi 2 milionë euro, në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti.

Ndaj sot, kryeministri, reputacioni i të cilit është njollosur rëndë në këto vite qeverisje, është detyruar që në tryezën e qeverisë, të ulet krah për krah me një imam dhe disa drejtues fondacionesh, për t’i siguruar të gjithë, se shteti ka të gjithë përforcimet e nevojshme, për të kryer detyrën e vet.

/TPZ.al/