Kryeministri Edi Rama ndodhet në një tryezë me ambasadorët në Pallatin e Brigadave për ti falenderuar për ndihmën e vendeve të tyre në operacionet e kërkim-shpëtimit të personave që mbetën nën rrënoja pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjitha vendet në këtë situatë dramatike që sipas tij po kalon vendi pas tërmetit ndërsa ka falenderuar të gjitha vendet që u mobilizuan dhe treguan gatishmërinë e tyre me ekipe dhe me ndihma menjëherë pas goditjes nga tërmeti.

Nga ana tjetër Rama ka ripërsëritur ftesën ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili vetëm pak më parë foli rreth kësaj duke thënë se nuk është koha për politike e propagandë.

Rama tha se ka mjaftueshëm kohë më pas për tu grindur se kush është më i mençuri e kush më i miri.

“Nesër do të takohem me komitetin Kombëtarët të Ndërtimit. Uroj që opozita të bashkohet me ne, i kam ftuar dhe do t’i ftoj sërish që të sjellin përfaqësues dhe të sjellin idetë e tyre. Nuk është fjala këtu kush është më inteligjenti. Kemi kohë kur kjo të kalojë që të zihemi se kush është më i mençuri e kush është më i miri. Tani është koha të përballemi me sfidën, për të marrë vendime për më të mirën për vendin tonë. Shpresoj që të vijnë”, tha Rama.

(F.GJ/FAXWEB.AL)