Deklaratë e Partisë Demokratike,Shkodër

Mëngjesi i kësaj dite agoi zymtë për shqiptarët dhe gjithë Shqipërinë. Tërmetet e njëpasnjëshme shkaktuan humbje jetësh,frikë,panik dhe dëme të shumta materiale në të gjithë vendin.

Në emër të Partisë Demokratike,Shkodër bëjmë thirrje të bashkohemi e t’i gjendemi pranë njëri-tjetrit në këto ditë të vështira,ku të gjithë e kuptojmë sa të vegjël jemi në këtë botë.

Të dashur vëllezër dhe motra, gjejmë rastin të shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë të pakursyer. Partia Demokratike Shkodër ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që sot humbën njerëzit e zemrës.

Gjejmë rastin të inkurajojmë strukturat pergjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht në përballimin e situatës së emergjencës dhe marrjen e masave për strehimin e atyre që sot janë pa shtëpi mbi kokë dhe të merren masa të menjëhershme për evidentimin e dëmeve dhe ndërhyrjen për rikuperimin e kësaj situate në një kohë sa më të shkurtër.

Partia Demokratike,Dega Shkoder është pranë çdo familjeje të prekur nga kjo fatkeqësi.